Komisioni Evropian ka reaguar në lidhje me padinë që bërë Aleanca për Teatrin ndaj ambasadorit të BE, Luigi Soreca.
Në një deklaratë nga Brukseli, zëdhënësi i KE, Peter Stano tha se akuzat janë të pabaza. Ai u shpreh se BE ka besim në punën që Soreca po bën në Shqipëri.
Ndër të tjerai ai i ka bërë thirrje aktorëve politikë që të vijojnë reformën e tyre në Drejtësi.
“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri, dhe më duhet të them se akuzat janë të pabazuara dhe dezinformuese. Liderët e BE kanë besim tek ambasadori Soreca dhe punën që ai po bën në Shqipëri. Soreca po bën punë të mirë në interes të BE, por edhe në interes të shqiptarëve, punë të mirë edhe në interes të marrëdhënieve Shqipëri-BE.
Ne vazhdojmë të mbështesim fort reformën në drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në Shqipëri të vijojnë zbatimin e reformës në përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të ndjekur reformën në drejtësi dhe Vettingun në gjyqësor, që po japin rezultatet e para të prekshme dhe nuk mund të ngadalësohen”, deklaron zëdhënësi i KE.
Kujtojmë që ditën e djeshme Aleanca për Teatrin padit në SPAK Sorecën, teksa në një deklaratë për media juristja e Aleancës, Adriana Kalaja tha se kanë kërkuar nga Parlamenti Evropian nisjen e një hetimi dhe shkarkimin nga detyra ambasadorin.