Paketa fiskale penalizon prodhimin vendas, duke filluar nga 1 janari çmimet rriten me 30%

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se projektligjet e paketës së re fiskale, jo vetëm që nuk e ndihmojnë sipërmarrjen të rimëkëmbet nga kriza e Covid-19, por do ta detyrojnë atë që, për të mbijetuar, të rrisë çmimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse këto ndryshime miratohen nga 1 janari 2022, çmimet e produkteve ushqimore do të rriten 30%.

Si penalizohet prodhimi vendas nga ndryshimet fiskale

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është kundër ndryshimeve të paketës fiskale, pasi sipas sekretarit të përgjithshëm, Arben Shkodra, goditet prodhimi vendas dhe nuk janë të përshtatshme për këtë kohë, kur prodhuesit po vuajnë shtimin e kostove nga çmimet e larta në tregjet e huaja.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, e konsideron paketën fiskale një politikë të nxituar nga qeveria dhe e pakonsultuar më parë me biznesin. “Është një politikë e njëanshme, thjesht për të mbushur boshllëqet e buxhetit të shtetit, por pa llogaritur dhe pa marrë fare në konsideratë goditjen që do të pësojë industria prodhuese.

“Duke marrë në konsideratë faktin se po përjetojmë një situatë të përshkallëzimit të frikshëm të rritjes së çmimeve në tregun global, për shumë lëndë të para, qeveria në vend që të ndihmojë dhe të lehtësojë sipërmarrjen, me këto projektligje ndikon negativisht dhe shton barrën e kostove të prodhimit dhe me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për sipërmarrjen vendase dhe ekonominë në tërësi.

Një rritje e paparashikuar e këtyre taksave, pa dyshim do të ndikojë edhe në përkeqësimin e treguesit të eksporteve, të produkteve të këtyre industrive, sidomos agroindustria, përpunimi i qumështit, industria e materialeve të ndërtimit, e çimentos etj. Një tjetër ndikim tepër negativ dhe frenues do të ketë për investimet në teknologji, që aq shumë ka nevojë industria prodhuese.

Në këto kushte do të thellojmë më shumë hendekun në konkurrueshmëri me vendet e rajonit”, nënvizon Jaka.

“Të gjitha ndryshimet godasin prodhimin vendas. Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% rrit koston e prodhimit vendas. Në draft thuhet se skema do të zëvendësohet me skema subvencioni, por deri tani nuk është prezantuar asnjë e tillë. Ndryshimet në projektligjin për akcizën do të shtrenjtojnë më shumë gazin që përdorin prodhuesit. Përjashtimi nga TVSH-ja për importin e makinerive për investimet rrit automatikisht koston e blerjes së tyre”, tha Zusi.

Nga 1 janari 2022, çmimet pritet të rriten rreth 30%

Rritja e taksave pritet të sjellë shtrenjtim të çmimeve të produkteve ushqimore dhe bulmetit. Përfaqësues të Shoqatave të Bizneseve parashikojnë se efektet e drejtpërdrejta të paketës do të jenë shtrenjtimi i çmimeve që mund të nisë nga 1 janari 2022.

“Nuk dëshirojmë të rrisim çmimet dhe të ulet konsumi, por jemi të detyruar t’i ndryshojmë çmimet nëse propozimet miratohen, sepse duhet të mbijetojmë. Nga rritja e taksave ngarkesa pritet t’i shkojë fermerit ose konsumatorit që do të paguajë, çmime deri në 25% më të larta.

Në tre vitet e fundit që ka nisur zbatimin skema e ndryshuar e kompensimit të TVSH-së nga 20 në 6%, 1,5 L qumësht nga 130 lekë që është shitur në 2018 (para ndryshimit të skemës) sot tregtohet me çmimin e 150 lekë/litër. Ndryshim të çmimeve ka pasur edhe për produktet e tjera bazike të bulmetit, si kosi, gjiza, djathi etj.”, nënvizon kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka.

Nëse ndryshimet fiskale të propozuara do të miratohen, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, paralajmëron se nga 1 janari 2022 do të ndikojë te rritja e çmimeve.//MONITOR

Zjarr Tv Ad