Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

FBI ka kontrolluar një zyrë poste në afërsi të Majemit në Shtetet e Bashkuara, në përpjekje të hetuesve për të zbuluar se kush qëndron prapa dërgimit të disa pakove me eksploziv. Këto të fundit janë dërguar në adresë të 8 personave të profilit të lartë, përfshirë ish presidentin Barack Obama, ish sekretaren e shtetit Clinton dhe aktorin Robert De Niro. Zyrtarët kanë treguar për mediat amerikane se hetuesit besojnë se pakoja e fundit është dërguar në Florida. FBI nuk ka zbuluar detaje të hetimit të tyre. Pako të njëjta janë dërguar edhe në adresë të ish zëvendëspresidentit Xho Bajdën dhe miliarderit filantrop Xhorxh Soros. Zyra e postës e kontrolluar është në Opa-Locka, ku janë marrë edhe filmimet e kamerave të sigurisë. “Një skuadër për çmontimin e bombave dhe një njësi e qenëve të stërvitur shoqërojnë zyrtarët federal”, thotë policia e Majemit. Ndërkohë, të gjitha pakot janë dërguar në një laborator të FBI dhe po ekzaminohen. Autoritetet nuk konfirmojnë dot nëse pajisjet do të shpërthenin apo jo. Dërgimi i pakove bombë nisi të hënën, kur një e tillë u gjet në kutinë e postës së Xhorxh Soros, i cili është dhe një ndër kontribuesit kryesorë të partisë demokrate. Të gjithë personat që kanë marrë këto pako, janë kritikë të presidentit Donald Trump. Megjithatë ky i fundit dënoi ashpër dërgimin e këtyre pakove, por edhe kritikoi kundërshtarët e tij duke thënë se nxisin urrejtjen ndaj tyre me deklaratat dhe veprimet që bëjnë.

Lista e plotë e individëve, drejt të cilëve u dërguan pakot-bombë:
1. George Soros
2. Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton
3. Ish-presidenti Barack Obama
4. Ish-zv.presidenti Joe Biden
5. Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, me adresë zëvendësuese CNN-in
6. Ish-kryeprokurori Eric Holder
7. Kongresmenja demokrate e Kalifornisë, Maxine Waters
8. Robert De Niro.

Zjarr Tv Ad