Ish-Presidenti Alfred Moisiu në një komunikim me mediat ditën e sotme gjatë një tryeze me përfaqësues të shoqërisë civile, iu bëri thirrje palëve politike për dialog, me synim nxjerrjen e vendit nga kriza.
Ai tha se për fat të keq kriza po përkeqësohet dhe se është koha e fundit për dialog mes aktorëve për të gjetur zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në dëm të saj.
Sipas tij, është e patolerueshme nxitja e urrejtjes partiake për interesa partiake të disa drejtuesve politikë.
“Është koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u kthyer në krizat ciklike. Mungesa e dialogut ka cenuar sigurinë e qytetarëve. Veprimet e dhunshme ndaj institucioneve kanë cenuar imazhin e Shqipërisë. Vetëm më votë arrihet demokracia funksionale”, u shpreh Moisiu.
Ai tha se kjo situatë duhet të marrë fund përmes një reformimi të thellë dhe një pakti kombëtarë për integrimin, duke bërë thirrje për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve; pranimin e faktit se ndryshimi i Kushtetutës në 2008 prishi ekuilibrin kushtetues dhe solli efekte; ndryshimin e procesit zgjedhor, zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët; forcimin e institucioneve që garantojnë kushtetutshmëri dhe që forcat politike të rikthehen ne dialog institucional.
Ish-Presidenti deklaroi se hapja e negociatave me Bashkimin Europian, është prioritet për vendit tonë dhe se në shtyrjen e vendimit ka ndikuar hezitimi i disa vende të BE dhe kriza në vend, duke nënvizuar se deri në tetor është kohë e paktë për të bindur palët.