Nga sot Pallati i Kulturës në Kamëz do të mbajë emrin e Dëshmorit të Atdheut Artan Cuku. Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e kësaj godine ishin të pranishëm familjarët e Cukut, ninistri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano.
Gjatë fjalës së tij Nano deklaroi se është i emocionuar për këtë hap në nderim të Dëshmorit të Atdheut ndërsa shtoi se nuk duhen harruar kurrë sakrificat e burrave dhe grave të policisë së shtetit.
“Nuk ka si të mos jem i emocionuar dhe krenar që gjendem sot në këtë ceremoni që kërkon të vlerësojë jetën dhe veprën e policisë së shtetit. Nisma për të risjellë në vëmendje emrin dhe veprën e tyre po troket në ndërgjegjen e çdo qytetari për më shumë vlerësim për figurat e policisë jo vetëm kur mbrojnë jetën me jetë por edhe kur janë të gjallë.
Nuk duhet të harrojmë këto sakrifikcat të burrave dhe grave të policisë së shtetit. Nga sot Pallati i Kulturës në Bashkinë e Kamzës shënon një ditë tejet të veçantë sepse po pagëzohet me emrin e nderuar të dëshmorit Artan Cuku. Në gjithë këto vite ne pamë me sytë tanë që krimi nga ka goditur”, tha Nano.
Ai deklaroi se policia e shtetit do të bëjë çfarë është e mundur për të vënë kriminelët para drejtësisë. “Policia e shtetit do të jetë kudo për të vënë para drejtësisë kriminelët. Si drejtori i Policisë së Shtetit e them se do bëjmë çfarë është e mundur për punonjësit e policisë dhe familjarët e tyre.
Faleminderit për emrin e Artan Cukut pallatit të Kulturës në Kamëz dhe shpalljen e tij qytetar nderi. Shumë është folur por edhe më shumë do të flitet për Artan Cukun. Jam i bindur”, theksoi ai.