Deputeti i PD-së Edi Paloka thotë se dështimi i raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit, nuk ishte i tillë për Ramën pasi sipas tij ky i fundit i kishte përgatitur të gjithë skenarët për të arritur në këtë pikë.
Paloka shigjetoi edhe Enkelejd Alibeajn për të cilin tha se kishte bashkëpunuar me Ramën duke bërë të njëjtën lojë kur e dinte shumë mirë se propozimet e opozitës për presidentin nuk do merreshin parasysh.
“Ishte një skenar i përgatitur dhe i trashë madje nga mënyra sesi ishte organizuar. Në fakt skenari ishte përgatitur që presidenti i Ramës të dilte gjoja nga goja e opozitës, por ky skenar u dogj sepse u demaskua që në fillim si i tillë.
Me presidentin, Rama arriti të tregonte se kishte disa grupe brenda PD që nuk binin dakord. Presidentin e ka pasur në xhep ai. Rama u kërkonte deputetëve presidentin me zarf ndërsa Alibeajt me e-maile.
Nuk kemi pasur pretendime fare për presidentin ne se e dinim që Rama do e zgjedhë vetë. Mos harroni se ka thënë se “kjo opozitë duhej të ishte shkatërruar prej kohësh”. Çfarë do e detyronte Ramën që të të jepte presidentin.
Duhet të jesh krejt naiv ose idiot për ta bërë këtë lojë. Duke mos qenë idiot, duhet të jesh në bashkëpunim me Ramën nuk ka arsye tjetër. Për të mos dalë jashtë loje, ne thamë që Rama nëse papritur na qenka bërë aq dashamirës, të pranonte një ndër kandidatët e propozuar nga opozita.
Madje as Alibeaj nuk ka asnjë zhgënjim. Këta bëhen qesharakë dhe mashtrojnë veten. Se Basha të paktën më mashtroi Rama kurse këta shkojnë e ulin veten thonë na mashtroi Taulant Balla. Nuk e di si mund ta poshtëojnë veten në këtë mënyrë” – tha Paloka në një intervistë për Fax News.