Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e kësaj të mërkure kryeqytetin e Greqisë, Athinën. Sipas mediave vendase, deri tani raportohet për vetëm një të moshuar që është plagosur në gjymtyrët e poshtme dhe të sipërme, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha.
Hetuesit ende nuk e dinë se çfarë e ka shkaktuar një shpërthim të këtyre përmasave që ka shkatërruar gjithë zonën në Avenue Syggrou, si dhe ka shkaktuar dëme në ndërtesat e tjera në një rreze 200 metra larg. Dyshimet janë edhe për një rrjedhje të mundshme gazi.
Siç shihet nga pamjet e mëposhtme, pallati 6 katësh ku ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm ka shkatërruar gjithë ndërtesën. Xhama dhe sende të tjera kanë fluturuar në rrugë dhe në bizneset e shtëpitë përreth.
Oficerët nga Departamenti i Asgjesimit të Mjeteve Eksplozive (TEEM) janë aktualisht në zonë për të hetuar nëse ka pasur lëndë eksplozive apo ka qenë rrjedhja e gazit ajo që e ka shkaktuar shpërthimin. Ngjarja ka ndodhur në orën 06.00 të mëngjesit, me orën lokale në Athinë.