Pamje të rënda, nga ngjarja që i mori jetën beratasit(VIDEO+EMRI)

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në vendin e quajtur ‘Ura e Goricës’ në qytetin e Beratit.

Një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë pranë bashkisë së Beratit ka rënë nga lartësia, duke punuar për prerjen e një lisi shekullor dhe për pasojë ka humbur jetën menjëherë pas rrëzimit. 46-vjeçari Shkëlqim Metkaj, banues në fshatin Kamçisht të Beratit, ka qenë duke punuar së bashku me kolegët që prej mëngjesit të sotëm pranë Urës së Goricës në Berat.

Ata kanë qenë duke prerë një lis shumë-vjeçar që për shkak të erozionit të tokës dhe viteve, ishte anuar në rrugë dhe përbënte rrezik për jetën e qytetarëve e kalimtarëve që kalonin në të vetmen rrugë hyrëse dhe dalëse të qytetin muze.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, 46-vjeçari Metkaj ka qenë me sharrën elektrike në dorë, duke prerë degët e pemës, në momentin e rrëzimit nga lartësia. Sipas burimeve të kolegëve të tij nga vendngjarja, Metkaj ka dashur të vendosë këmbën në shkallën elektrike lëvizëse për të zbritur poshtë, por ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga një lartësi e madhe në pjesën e poshtme të bregut të lumit Osum.

Ndërkohë sharra elektrike i është shkëputur nga dora dhe ka rënë në drejtim të kundërt, në mes të rrugës kryesore, duke rrezikuar edhe njerëzit apo automjetet që qarkullonin në rrugë.

Punonjësi i Drejtorisë së Bujqësisë pranë bashkisë së Beratit ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të dëmtime të marra si pasojë e rrëzimit nga lartësia, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ambulanca dhe efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Grupi hetimor i DPV Berat është duke kryer kryerjen e vendit të ngjarjes dhe veprimet procedurale për të zbuluar dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe shkaqet e saj.

Puna për prerjen e këtij lisi kishte filluar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe gjatë gjithë ditës qarkullimi në qytet ka qenë një kaos i vërtetë pasi lëvizej vetëm me një sens dhe me efektivë të shumtë police të pozicionuar në këtë zonë ku po punohej, për të diktuar korsinë e lëvizjes së automjeteve në këtë aks të bllokuar në njërin krah.

Zjarr Tv Ad