Tashmë, që deputeti socialist deklaroi dorëheqjen, mandati tij do t’i kalojë një tjetër socialisti. Pandeli Majko do të rikthehet në politikën aktive sepse mandati i Bllakos i takon pikërisht atij, dhe në bazë të ligjit do të bëhen zëvendësimet përkatëse.
Kodi Zgjedhor parashikon se në momentin kur një deputet ndërpret mandatin, atëherë ky i fundit i kalon kandidatit që vijon në listën e së njëjtës parti në zonën zgjedhore përkatëse. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Pandeli Majko grumbulloi 8750 vota, por nuk e theu dot herësin dhe për rrjedhojë nuk mori dot as mandatin.
“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar.
Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë.
Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thotë Kodi Zgjedhor.
Pandeli Majko renditej i 19-ti në listën e Tiranës, por Partia Socialiste arriti të nxirrte vetëm 18-të deputetë. I fundit që e kapërceu listën ishte Eduard Shalsi (i renditur i 18-ti). Me tërheqjen e Alqi Ballakos, rifutet përsëri në lojë Pandeli Majko dhe nëse ky i fundit pranon të marrë mandatin, atëherë ai do të jetë përsëri deputet i PS.