Papa: Aborti është njësoj si angazhimi i një vrasësi me pagesë

0
1

Papa Françesku tha të shtunën se aborti është gjithmonë i papranueshëm, pavarësisht pranisë së sëmundjeve të rënda ose çrregullimeve patologjike të frytit. Ai kërkoi nga mjekët që t’i ndihmojnë gratë t’i lindin edhe ata fëmijë që nuk pritet të jetojnë gjatë pas lindjes.

“A është legjitime të merret jeta e njeriut për ta zgjidhur një problem”, pyeti Papa para njerëzve të pranishëm në konferencën e Vatikanit që u organizua për këtë çështje. “A është e lejueshme të angazhohet një vrasës me pagesë për ta zgjidhur një problem”, shtoi ai.

Papa tha se përdorimi i abortit si masë parandaluese asnjëherë nuk mund të arsyetohet dhe se një gjë e tillë nuk ka të bëjë asgjë me besimin fetar. “Jeta e njeriut është e shenjtë dhe përdorimi i diagnozave para lindjes për qëllime selektive duhet të kundërshtohet fuqishëm”, tha ai.

Deklarata e Papës vjen në kohën kur kjo çështje i ka përçarë njerëzit në Shtetet e Bashkuara. Disa shtete, përfshirë Alabaman, Gjorgjian dhe Misourin, kanë miratuar ligje të ashpra kundër abortit, ndërsa aktivistët kundër këtyre ligjeve po shpresojnë se Gjykata Supreme do t’i shfuqizojë këto rregulla.

Kreu i Kishës Katolike tha se çdo fëmijë që nuk pritet të jetojë gjatë pas lindjes meriton të trajtohet me ndërhyrje kirurgjike dhe farmakologjike. Sipas tij, secili fëmijë në barkun e nënës është një dhuratë që e ndryshon historinë e një familjeje, shkruan “Ne York Times”.