Papa: O Atë, na jep bukë për fëmijët e Jemenit, Sirisë e Sudanit të Jugut!

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në audiencën e përgjithshme, mendimi i Papës shkoi tek fëmijët e uritur në vendet, “ku nuk ka as bukë”. Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të bashkohen me të në këtë lutje: “Ati ynë, bukën tonë të përditshme na e jep sot”, njofton Radio Vatikani.

Buka është fjalë, që bart shijen e së përditshmes, por shumë fëmijë në botë nuk ia ndiejnë as erën. Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku kujtoi fëmijët e uritur të Jemenit, Sirisë dhe Sudanit të Jugut. U kërkoi besimtarëve të bashkohen me të në lutjen “Ati ynë, bukën tonë të përditshme na e jep sot”, ku “buka”, në ndjetin e Papës, është edhe “ujë, ilaçe, shtëpi”. Nevoja themelore të jetës, që për shumë fëmijë janë ëndërr.

Në Jemen, që nga shpërthimi i luftës në vitin 2015, kanë gjetur vdekjen së paku 85 mijë fëmijë, për shkak të sëmundjeve dhe urisë. Sipas organizatës humanitare “Save the Children”, më se 10 milion të mitur në botë nuk mund të mjekohen si duhet. Këtë vit, sipas statistikave të OKB-së, rreth 2 milion fëmijë kanë nevojë për terapi të veçanta, për të dalë nga gjendja akute ku i ka çuar uria. Jeta e 11,3 milion të miturve, kujton Unicef-i, varet nga ndihmat humanitare.

Për shumë fëmijë, urisë i shtohen edhe sëmundjet e rënda. Që nga fillimi i vitit, në Jemen, janë regjistruar së paku 109 mijë raste me diarre akute. E pastaj, kolera e sëmundje të tjera. Që nga fillimi i luftës, janë shkatërruar shkolla, spitale dhe infrastruktura. Gati 6.500 fëmijë kanë gjetur vdekjen, ose janë plagosur gjatë bombardimeve. Më se një milion e gjysëm është detyruar të shpërngulet nga shtëpia. E fatkeqësisht, lufta vazhdon, duke shkaktuar mënxyra të tjera.

Edhe Siria, ashtu si Jemeni, është vend lufte. Që nga fillimi i konfliktit, më 2011, nën bomba, janë lindur rreth 5 milion fëmijë. Vetëm në vitin 2018, janë vrarë 1.106, kryesisht, për shkak të minave kundër njeriut. 800 fëmijë janë rekrutuar nga grupe të ndryshme të armatosura, ndërsa, së paku 2,6 milion janë shpërngulur.

Ajo siriane është një ndër krizat humanitare më të rënda në botë. Gati 20 mijë fëmijë nën 5 vjeç ushqehen kaq keq, sa të jenë vazhdimisht në rrezik jete. Vitet e luftës kanë shkatërruar edhe shërbimet bazë shoqërore. 2 milion fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë e shumë prej tyre detyrohen të bëjnë punë të rrezikshme, ose të martohen para kohe. Gjysma e sistemit të ujrave të zeza nuk funksionon, duke kërcënuar seriozisht shëndetin e popullsisë.

Edhe Sudani i Jugut është në luftë që nga viti 2013. Konflikti shoqërohet me dramën e zisë së bukës. Gati 7 milion vetë nuk e kanë të sigurtë ushqimin. Prej tyre, 860 mijë janë fëmijë. Lufta ka shkaktuar uljen drastike të prodhimit të drithërave e perspektiva, sipas Organizatës Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), është alarmuese. Fatkeqësisht, nuk mungojnë sëmundjet, që shkaktohen nga mungesa e ujit të pijshëm dhe e shërbimeve higjieniko-shëndetësore.

 

Zjarr Tv Ad