Gjyqtarja Manjola Bejleri e Gjykatës së Tiranës do të përballet të hënën më 18 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. Manjola Bejleri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Bejleri ka qenë gjithashtu kryetare e shoqatës së gjyqtarëve.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Manjola Bejleri deklaronte pasuri me vlerë 7 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e saj kap vlerën e 10.9 milionë lekëve. Në fund të vitit 2016, Bejleri zotëronte pasuri të paluajtshme me vlerë 5.6 milionë lekë si dhe likujditete bankare me vlerë 5.2 milionë lekë.
Të ardhurat e deklaruara për periudhën janë 20.1 milionë lekë, nga të cilat gati 64% kanë si burim pagën nga funksioni i gjyqtares, 21% të ardhurat nga trashëgimia dhe gati 2% nga shitja e pasurisë së patundshme. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.
Subjekti Manjola Bejleri rezulton me burime financiare të pamjaftueshme në vlerën 157,910 lekë në vitin 2015, për të mbuluar shtesat e asetit në llogari bankare, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” huatë e marra nga të afërmit si dhe të ardhurat në cash të fituara nga trashëgimia.
Në vitin 2003, subjekti deklaron të ketë marrë një kredi bankare dhe 12, 000 dollarë hua nga vëllai për blerjen e një apartamenti. Gjithashtu në vitin 2007 deklarohet huamarrje në vlerë 1,000,000 lekë, që shërben për shlyerjen përfundimtare të kredisë. Në fund të vitit 2016, gjendja totale e depozitave rezulton 38,899 euro, nga të cilat 3,200,000 lekë janë të ardhura të përfituara nga trashëgimia pas vdekjes së babait të deklarueses. Në të njëjtin vit, ajo deklaron gjithashtu nga trashëgimia 12% të një trualli dhe pemishte në Libohovë si dhe 5% të një apartamenti në Fier.