Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka pranuar kërkesën e gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani për arritjen e një marrëveshjeje, ku pranonte shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.
Kapedani depozitoi më 30.09.2021 pranë ILD-së, “Kërkesë për arritjen e marrëveshjes”, duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë. ILD vendosi të pranojë marrëveshjen bazuar në rrethanat e reja të krijuara.
“Më dt.05.01.2022, ILD dhe magjistratja u dakordësuan për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët të pranimit, për caktimin ndaj magjistrates E.K. të masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj, parashikuar nga neni 105, pika 1.
Kujtojmë se Enkeleda Kapedani disa muaj më parë u bë kryefjalë në media, pas publikimi të disa videove skandaloze në rrjetet sociale, ku shihej teksa bënte sfilatë në korridore dhe ambientet e Gjykatës së Elbasanit.