Ish-deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, gjatë një interviste është shprehur se në Shtator, do të rikthehen zhvillimet politike.
Ajo është shprehu se nga LSI, do të jetë një “stinë” e ngjeshur politike, teksa tha se për ata beteja e 25 prillit nuk është një çështje e mbyllur.
Ajo zbuloi se LSI do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se nuk është vendosur ende nëse këtë betejë ligjore, do ta ndërmarrë së bashku me Partinë Demokratike.
“Shtatori do të jetë intensiv, zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të quhen një kapitull i mbyllur. Ka ende shumë pikëpyetje, ende shumë ngjarje që nuk janë zbardhur. Ne si LSI, por mendoj se edhe PD, ndajmë bindjen që procesi i ndjekur nga KQZ dhe KAS, nuk ishte i drejtë. Do të vazhdojmë të kërkojmë të zbardhet e vërteta.
Ajo që ndodhi me çështjen e Teatrit Kombëtar, na bën të shikojmë një dritë. Do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese për 25 prillin me të gjitha argumentet e paraqitur në KQZ dhe KAS, por edhe me argumente të tjera si databaza e të dhënave personale, punësimet në administratë. Grupet e punës janë ende duke punuar. Ne vazhdojmë të komunikojmë me grupin e punës të PD-së. Nuk mund t’ju them ekzaktësisht si do të shkojmë” tha ajo për “vizion plus”.