Tetë të vdekur dhe afro 30 të plagosur, mes të cilëve edhe 3 zjarrfikës, është bilanci i një zjarri të rënë në një godinë banimi në periferinë jugperëndimore të Parisit. Njëri prej të plagosurve raportohet në gjendje kritike për jetën.
Numri i viktimave mund të rritet, thonë zyrtarë të shërbimit zjarrfikës për agjencinë e lajmeve “AFP”, pasi operacionet e shpëtimit janë ende në vijim e sipër në katet e sipërme të godinës 8-katëshe.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Megjithatë, një femër është ndaluar nga policia si e dyshuar. Prokurori i Parisit, Remi Heitz tha se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht.
Flakët u përhapën në dy kate të godinës së vjetër, të ndërtuar në vitet ’70, natën mes së hënës dhe së martës, duke detyruar banorët të kalonin mbi çatitë më të afërta për t’iu shpëtuar atyre dhe tymit.
Rreth 200 zjarrfikës u dërguan në vendngjarje, të cilët ndihmuan edhe në shpëtimin e të bllokuarve, ndërsa rreth 30 persona u evakuuan përmes shkallëve.
“Kur mbërritëm u përballëm me një situatë apokaliptike. Shumë njerëz bënin thirrje për ndihmë nga dritaret”, tha zëdhënësi i zjarrfikëses.
Ndërkohë, rrjeti francez “BFMV” e çon në 6 numrin e zjarrfikësve të plagosur. Ndërtesat përreth godinës që u përfshi nga zjarri, jo shumë larg kullës së famshme “Eiffel”, janë evakuar gjithashtu për shkak të shqetësimeve që solli tymi i përhapur gjithandej.
Zyrtarët bashkiakë janë ngarkuar tashmë me gjendjen e alternativave të tjera të akomodimit të banorëve të prekur, sipas “Le Parisien”. Gjatë operacioneve të shpëtimit u bllokuan rrugët rreth vendngjarjes. Ndërsa kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo ngushëlloi të afërmit e viktimave, përpara se ta vizitojë edhe vet vendngjarjen, ku do të mbahet edhe një minutë heshtje në orën 11.