Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, përshëndet vendimin e marrë sot nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, veto e cila rrjedhimisht i hap rrugën drejt BE dhe Shqipërisë.
Nikolla shkruan se kjo votë e rëndësishme është një veprim i emancipuar i parlamentarëve bullgarë, që çliron edhe vendimmarrjen e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Mirënjohje Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Kryetarit (ad interim), z. Miroslav Ivanov, dhe gjithë grupeve parlamentare, të shumicës dhe opozitës, për votimin pro heqjes së vetos dhe çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Kjo votë e rëndësishme është një veprim i emancipuar dhe evropeist i parlamentarëve bullgarë, që çliron edhe vendimmarrjen e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, shkruan Lindita Nikolla.