Ligjvënësit votuan me 432 vota kundër dhe 202 pro marrëveshjes. Britania është në plan të largohet nga BE-ja pas 73 ditësh dhe Kryeministrja May ka afat deri të hënën të sjellë një Plan B në Parlament. Por udhëheqësi i Partisë Laburiste të opozitës Jeremy Corbyn, bëri thirrje menjëherë që qeveria aktuale të përballet me një votë mosbesimi. Qindra demonstrues pro-BE-së ishin mbledhur në Londër dhe filluan brohoritjet kur anëtarët e Parlamentit e hodhën poshtë marrëveshjen BREXIT të negociuar nga zonja May me zyrtarët europianë në muajin nëntor.
Ndërkohë pritet që të mërkurën, Parlamenti të mbajë një votë mosbesimi për qeverinë, pas një mocioni të kryetarit të opozitës, Corbyn.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, që përfaqëson krerët e vendeve anëtare, u përqëndrua te dështimi i kryeministres Theresa May për t’ia shitur planin e saj të “Brexit”-it ligjvënësve, e për të sugjeruar qëndrimin e Britanisë në union.
Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier paralajmëroi ndërkohë se refuzimi i Parlamentit britanik rrit rrezikun e daljes së Britanisë nga BE-ja pa asnjë marrëveshje.
Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz shprehu keqardhjen në “Twitter”. “Megjithatë, nuk do të ketë hapje të negociatave”, shkruante ai.