Partia Demokratike, përpara qeverisë për drejtësinë e re

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga PREÇ ZOGAJ

Midis opsionit për vijimin e vetingut me monitorim ndërkombëtar nga të njëjtat institucione që e kanë bërë deri sot dhe zhvendosjes së këtij procesi në KLGJ dhe KLP, Partia Demokratike zgjodhi të votonte opsionin e parë. Ai erdhi në përputhje me votën që ka dhënë kjo parti për Reformën në Drejtësi para më shumë se gjashtë vitesh dhe është në një gjatësi vale me propozimin e saj të ri për shtrirjen e vetingut edhe në politikë.

Ai reflekton marrëdhëniet e saj të reja të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA e BE dhe shpreh një vetëdije të re për nevojën e mbështetjes dhe nxitjes pa rezerva nga opozita të një drejtësie të pavarur e kurajoze, që as kapet, as frikësohet nga kasta e politikanëve të korruptuar e të inkriminuar që janë në politikë për një mision të vetëm: të ndalojnë drejtësinë t’i marrë në hetim.

Vendimi në fjalë reflekton gjithashtu zhvillimet brenda PD-së ku ka ndodhur ndarja me Sali Berishën për shkak të shpalljes së tij non gratta nga SHBA, ndarje të cilën vetë Berisha e ka shndërruar në antagoniste me lëvizjen e tij hakmarrëse kundër Bashës. Ky është konteksti i vendimit për të votuar zgjatjen e vetingut.

E kundërta, mosvotimi me lloj-lloj pretekstesh që nuk është e vështirë të gjenden, apo edhe duke sjellë në vëmendje raste konkrete të shkeljeve, të djegies nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit apo nga Komisioni i Pavarur i Apelit i barit të njomë më të thatin, siç thotë populli, apo anasjelltas, i mbrojtjes së të thatit më të njomin, do të kishte qenë një gabim dhe një zhgënjim për mijëra e mijëra qytetarë që nuk duan një opozitë meskine të kompleksuar që rrëshqet mbi gogla, por një opozitë të lirë me vizion të gjerë, që prin dhe udhëheq ndarjen nga xhungla dhe pandëshkueshmëria shumëvjeçare. Në fund të fundit, cila do të ishte alternativa e moszgjatjes së vetingut siç ka nisur? Një humbje e mëtejshme kohe, më e pakta. Një mundësi më e madhe e qeverisë dhe e aksesorëve të saj për kontrollin e procesit pa monitorim ndërkombëtar, një përplasje e panevojshme me kosto me SHBA dhe BE.

Nuk bëhet fjalë të injorohen padrejtësitë që u janë bërë disa prokurorëve e gjyqtarëve, ndaj të cilëve qëndrimi veçanërisht i KPA-së ka qenë tejet tendencioz. Drejtësia ka humbur nga shkarkimi i tyre. Mundësitë dhe shpresat që ata të gjejnë të drejtën në Gjykatën e Strasburgut janë reale e të mirëpritura. Por është fakt se këto raste përfaqësojnë një përqindje të vogël në raport me numrin e të shkarkuarve me të drejtë. Dobia e vetingut në pastrimin e drejtësisë shqiptare është një histori e pamohueshme suksesi. Nga kjo pikëpamje, kur vihen në peshore të mirat dhe dështimet dhe del se peshorja anon nga e mira, nuk ka as urtësi, as justifikim për ata që zgjedhin të hedhin nga vaska bashkë me ujin edhe foshnjën.

Basha dhe PD kanë bërë shumë mirë që vendimin për të votuar vazhdimin e vetingut e kanë përfshirë në një paketë me kërkesën për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale. Janë gjëra që ndodhin në politikë. Por edhe po të mos kishte asgjë për të marrë në kuptimin e shkëmbimit, Partia Demokratike këtë duhej të kishte bërë. Ajo e ka pasur gjithnjë më leverdi drejtësinë e re si zgjidhje. Në boshtin e saj, ashtu siç ishte projektuar e shprehur në ligj drejtësia e re ishte diçka që u shkonte për shtat qëllimeve të opozitës, misionit të saj. Edhe më shumë i shkon për shtat sot. Në kuptimin patriotik dhe partiak të fjalës. Për ta nisur nga e dyta, më e vogla, një drejtësi efikase mundëson pastrimin e opozitës nga ish-zyrtarët e saj të korruptuar. E gjithë kjo ndihmon vetvetiu qarkullimin e elitave, përtëritjen dhe fuqizimin e opozitës si alternativë pa hipotekat e shpërdorimeve dhe abuzimeve në kurriz. Por vlera patriotike e reformës është mbi atë partiake.

Nuk harrohet thirrja e zonjës Viktoria Nuland në vitin 2016, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në emër të SHBA-së: “Jepni një votë patriotike për reformën në drejtësi”. Në atë thirrje, siç mund të kuptohet akoma më mirë sot në dritën e ngjarjeve që kanë ndodhur e po ndodhin, gjejmë të sintetizuara shtytjet dhe arsyet e thella të ndërmarrjes së kësaj reforme sui generis, karakterin puro atdhetar të saj në kushtet e kapjes së Shqipërisë dhe demokracisë nga një stafetë autokratësh të paprekshëm me lidhje të errëta. Karakteri patriotik i reformës në thelbin e saj vetëm është përforcuar me kalimin e kohës. Pavarësisht oscilacioneve, devijimeve, përpjekjeve për ta vonuar, tjetërsuar, diskretituar. Vonesat dhe pengesat e llojllojshme, të jashtëzakonshme, të hapura dhe të fshehta, me fjalë dhe me veprime, janë dëshmia e akumulimit të stërmadh të së keqes në vendin tonë. Është dashur protagonizmi i përditshëm i një superfuqie si SHBA dhe i BE-së që drejtësia e re të qëndrojë në këmbë dhe të fillojë të ecë. Pa SHBA dhe BE do të ishte rrëzuar. Bashkë me të edhe shpresa e fundit për të vendosur sundimin e ligjit në Shqipëri. Për fat kjo nuk ka ndodhur. Për ketë duhet tu jemi mirënjohës partnerëve dhe atyre faktorëve politikë e institucionalë vendas që nuk janë dorëzuar.

Megjithëse ende larg pritshmërive të publikut, drejtësia e re po jep shenja të qarta se po hyn në fazën e përballjes ligjore pa doreza me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të çdo niveli që kanë kryer krime. Këtu po del e duhet të dalë në pah edhe më shumë roli i Partisë Demokratike dhe Bashës si kryetar i saj. PD duhet të vazhdojë drejt destinacionit të shpallur pa dëgjuar as majtas, as djathtas korin e sirenave “armike” në dukje, të orkestruara në një qëllim: të evitojnë ndëshkueshmërinë, ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është. Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

Zjarr Tv Ad