Partia Socialiste shkresë KQZ: Afati i votimit në Vlorë të shtyhet deri në orën 22:00, rrugët do bllokohen nga “Giro D’Italia”

0
0

Partia Socialiste i ka dërguar një shkresë zyrtare KQZ dhe kërkon që orari zyrtar i përfundimit të procesit të votimit në Bashkinë e Vlorës të mos jetë ora 19:00, por 22:00, duke e shtyrë me tre orë afatin për shkak të garës së “Giro D’Italia”.

Në shkresë thuhet se do të bllokohen 14 akse kryesore rrugore dhe për pasojë kjo do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie.

“Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë.

Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese”, thuhet në kërkesën e PS.

Për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë për më shumë se 4 orë në 14 akse kryesore në Bashkinë Vlorë, socialistët thonë se do të pengohet ushtrimi i të drejtës votës për shumë qytetarë dhe për këtë kërkon shtyrjen e orarit të votimit nga ora 19:00 deri në 22:00

“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00.

Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur”, thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së.

Dy etapat e para të aktivitetit sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia” po zhvillohen në Durrës dhe Tiranë. Përkatësisht, dje startoi në Durrës dhe përfundoi në Tiranë etapa e para, ndërsa sot në kryeqytet po zhvillohet etapa e dytë. Nesër, më 11 Maj është dhe etapa finale në Vlorë, e cila përkon me ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Zjarr Tv Ad