Sipas të dhënave të librarisë së reklamave me temë politike dhe sociale të publikuar nga Facebook, gjatë 30 ditëve të fundit partitë politike, kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit dhe faqje që shpërndajnë mesazhe politike kanë postuar 2573 reklama në rrjetin social Facebook.
Në total sipas raportit janë shpenzuar 123,152 USD për reklama politike dhe sociale. Por të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë që vetëm 113,252 USD janë nga parti politike, kandidatë ose faqe që shpërndajnë reklama politike, ndërsa pjesa tjetët janë reklama nga media dhe kompani që janë kategorizuar gabim nga algoritmi i Facbook.
Listën e reklamueseve më të mëdhenj e udhëheq Partia Socialiste me 394 reklama, me një vlerë totale prej 21,907 USD, e ndjekur nga Partia Demokratike me 81 reklama, për të cilat ajo ka shpenzuar 11,536 USD.
Ajo që bjen në sy janë dhe shpenzimet e larta të disa faqeve anonime që shpërndajnë reklama politike me ton negativ ndaj opozitës ose pozitiv ndaj mazhorancës, por që nuk i lidhin shpenzimet me një parti politike ose kandidat në zgjedhje.
Për shembull, 5 faqe me reklama pro Partisë Socialiste dhe kundë PD-së [Untold Stories of Albania, Punë Punë, Pakëz Dritë, Ligj dhe Rend dhe Të jesh grua], kanë shpenzuar deri më 10 prill 19,452 USD për 341 reklama të publikuara në Facebook.
Ndërkohë, faqja Anti-Rama Social Club ka publikuar reklama me ton negativ për mazhorancën, por sipas raportit shpenzimet e saj kanë qenë minimale deri më 10 prill. /BIRN/