Fill pas largimit të Skënder Gegës në shtëpinë e kuqe gjithçka po shkon keq. U desh jo pak kohë për të gjetur pasuesin e trajnerit që risolli titullin në kryeqytet dhe u desh shumë pak kohë për të zhbërë gjithçka të bukur që kishte ndërtuar Gega. Në pak kohë nga Partizani humbi shpirti i grupit, u zhduk harmona dhe u prishën shumë balanca brenda ekipit. Ata që në sytë e Gegës dhe të tifozëve ishin heronj sot nën drejtimin e Lerdës mund ti shohësh në stol.
Ardhja e trajnerit italian u pasua me një merkato sa të bujshme në letër por dhe aq të çuditshme, shumë lojtarë të huaj, shumë sulmues por në fund ajo që i mungon Partizanit është pikërisht goli. As në sfidën kundër Karabak e as kundër Sherif Tiraspol, të kuqtë nuk arritën të realizonin. Si të mos mjaftoi eliminimi në Champions dhe humbja në sfidën e parë kundër modalëve në “Selman Stërmasi”, tekniku italian duket shumë i shkëputur nga pjesa tjetër e stafit por dhe e disa lojtarëve.
E gjithnjë kjo situatë e krijuar vetëm sa rëndon atmosferën në shtëpinë e kuqe në vigjilje të ndeshjes së kthimit kundër Sherif Tiraspol, e vlefshme për raundin e dytë në Europa League, ndeshje kjo e cila me shumë gjasa mund ti jap të ardhmes së Partizanit dhe stolit të trajnerit Lerda një tjetër rrjedhë. Një tjetër humbje mund të bëjë që stafi drejtues të rishoh dhe një herë pozicionin e teknikut italian. E shkuara e freskët ka konfirmuar se italianët e kanë të vështirë të mbijetojnë në kryeqytet.