Tirana është gjithmonë një histori tjetër. Edhe pse konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme të kampionatit, për të mos thënë më e madhja, gjithmonë mbështillet me një mister, tamam si ngjarjet në librat e Stephen King.
Që të gjithë e dinë, se tifozët do të japin spektakël në stadium, por nuk e dinë se si do ta bëjnë një gjë të tillë. Si zakonisht duhet të zbulohen koreografitë e dy krahëve, që gjithmonë janë të paparashikueshme dhe të çmendura, madje pasuar edhe me ndonjë grusht në mes të rrugëve apo edhe para ndeshjes derbi.
Partizani-Tirana është derbi i misterit, sepse nëse ne njohim Shehin, por nuk njohim trajnerin e Partizanit, Kolelën dhe mënyrën se si do ta luajë derbin me të kuqtë. E bukura është se për tre titullarë të Partizanit, Bekim Rexhepi, David Atanaskoski e Viktor da Silva si dhe Bruno Lulaj, Albano Aleksi, Ardit Deliu, Florent Hasani dhe Patriku te Tirana e kanë mister një një Partizani-Tirana.
Nuk e kanë luajtur kurrë në jetën e tyre. Për të vazhduar me Hotin e Kallakun që i kanë veshur fanellat e kundërshtarit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë, e nëse do të kenë emocione.
Deri dje Partizani ishte skuadra që dominonte derbin, ndërsa tani është Tirana që e mbizotëron këtë sfidë. Dhe çfarë do të ndodhë në fushë këtë 90 minutësh është një histori më vete e mistershme.
Ama misteri vazhdon, sepse askush nuk e di si del takimi, paçka se sa i fortë je dhe në cilin vend të renditjes ndodhesh. Për të mos folur për premiot që fitojnë skuadrat në rast fitoreje.
Dhe me misteret e kësaj ndeshje mund të vazhdojmë gjatë, por e bukura e historisë është se Partizani-Tirana, derbi i madh i kryeqytetit, sa herë që luhet është një histori tjetër. E mbuluar me plot mister që edhe në aktin 167 duhet të zbulohet dhe shijohet.