“Pas debateve që babai pati me Nexhmije Hoxhën te ‘Zëri popullit’, u arrestua nga Sigurimi”! Historia tragjike e gazetarit nga Çamëria

0
172
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

I lindur më 14 shkurt 1912 në Çamëri dhe ardhur në Shqipëri në moshën 8-vjeçare. Pjesëmarrës në luftë, si zëvendëskomandant i çetës “Çamëria”. Arrestohet më 28 korrik 1960, me akuzën si agjent i zbulimit të huaj për një kohë të gjatë. Në maj 1961 i përmendet emri në gjyqin e Teme Sejkos dhe të 38 personave të tjerë, por nuk u shfaq si person në gjyq. Nga ky moment, nuk dihet më asgjë për fatin e tij

Njoftimi më i fundit rreth fatit të tij, ka qenë nga një ish-punonjës i Hetuesisë, i cili pohoi se: Taho Sejko, është torturuar për një kohë të gjatë e në fund i kanë nxjerrë edhe sytë.  Midis këtyre të dhënave kaq kontradiktore e të tmerrshme, familja ende nuk e di si është e vërteta e fatit të Taho Sejkos. Dëshmon i biri, Hektor Sejko As i gjallë, as i vdekur – një jetë e mbetur në terr! Çfarë ka ndodhur me këtë burrë, me këtë njeri? Cili është faji i këtij? Gjyshja ime 80 e ca vjeçe, nga tre djem që pati, mbeti pa asnjërin. Dy i arrestuan në të njëjtën datë dhe i eliminuan. Tjetrin e bënë të mbytej në pus…!

Zoti Hektor Sejko, ju falënderojmë që keni ardhur për intervistë.

Do ta filloj me pak histori. Gjyshi im, Mehmet Sejko, ka qenë ndër patriotët e mëdhenj të asaj kohe. Në vitet 1908 e 1909, ka krijuar Klubin Shqiptar dhe ka qenë kryetari i Klubit Shqiptar për ‘Vëllazërimin për Gjuhën Shqipe’, si dhe ka hapur shkollën e parë shqipe në Filat, në shtëpinë e tij. Në vitin 1919, firmosi memorandumin e Çamërisë, drejtuar Fuqive të Mëdha, për bashkimin e trojeve të Çamërisë me trojet shqiptare. Në 1920-n, grekët e detyruan të largohet dhe kështu erdhën në Konispol.

Im atë, Taho Sejko, ka lindur më 14 shkurt 1912 dhe kur erdhën në Shqipëri, ishte 8 vjeç. Kreu shkollën e Konispolit, pastaj shkollën e mesme në Liceun francez të Korçës, e më pas shkoi në universitetin francez të Athinës, për Shkenca Ekonomike e Politike. Njihte shkëlqyeshëm frëngjishten, italishten dhe greqishten. Në vitin 1939 kthehet, i detyruar nga pushtimi i Shqipërisë. I ati i kishte vdekur, nëna me të dy vëllezërit, ishin në situatë të vështirë ekonomike.

U bashkua me Lëvizjen, si zëvendëskomandant i çetës së parë “Çamëria” dhe u plagos në betejën e Konispolit, ku një predhë ‘Shrapneli’ gjerman, i mbeti në trup dhe i’u ngjit në kockë.

Me çlirimin e Shqipërisë, ishte me detyra në Konispol, Gjirokastër, më tej në Komisionin e Planit të Shtetit, në “Zërin e popullit” si shef i redaksisë ekonomike, deri në momentin që erdhi Konferenca e Tiranës. Në Konferencën e Tiranës, atë e dënojnë. Konferenca e Tiranës u zhvillua mbas vdekjes së Stalinit dhe mbas Kongresit XX-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Hrushovi ndryshoi linjat. Në “Zërin e popullit”, vijnë dy persona nga Komiteti Qendror, Nexhmije Hoxha dhe Fiqrete Shehu, për të bërë analizën e problemeve të Konferencës së Tiranës. Këtu ndodhi një përplasje e Taho Sejkos me Nexhmije Hoxhën.

Kjo përplasje e vuri në rreth përfundimisht. Por ka një dokument, që dëshmon se që më 21 gusht 1948, Taho Sejkoja ishte pushuar nga puna nga Komisioni i Planit të Shtetit, ku kishte marrë edhe një vërejtje në atë kartën e famshme, të regjistrimit të asaj kohe…! Fiqrete Shehu e pyeti: “Ti, Taho, ke dy vërejtje në kartë të regjistrimit?”, “Po”, – i thotë ky. “S’ke bërë kërkesë për t’i hequr”? “Pse duhet të bëj kërkesë unë? Ti e di shumë mirë përse i kam marrë vërejtjet.

Kur në Komisionin e Planit të Shtetit, ty nuk të fliste kurrkush me gojë dhe Mehmetin, e kishin çuar në Vlorë për shkakun tënd, sepse ti ishe shkarkuar, ishe hequr nga partia, i vetmi person në Komisionin e Shtetit, që të fliste, ishte Taho Sejkoja”. “Po, – thotë ajo – e di”. “Por, kur more teserën tënde, pse nuk hoqe edhe vërejtjet që kisha marrë unë”? – ia ktheu Tahoja. Për të gjitha këto probleme të njohura të asaj kohe, Taho Sejkoja, u fut në rreth.

Këtu kam një shkresë që Haxhi Kroi, sekretari i Enver Hoxhës, ua çonte anëtarëve të Byrosë. Në të shkruhet: “Me porosi të shokut Rita, po ju drejtojmë listën e elementëve anti-parti për të cilët propozohet të merren masa e të transferohen nga përgjegjësitë, që kanë dhe të vendosen në vende të tjera. Ju lutemi që të jepet mendimi juaj për këtë çështje!” Në listën me 19 ose 20 emra, është edhe emri i Taho Sejkos, si anëtar i kolegjiumit të “Zërit të popullit”. Kryeministria vendoste që Taho Sejkoja, të fillonte si drejtor i Parkut Automobilistik në Shkodër.

Taho Sejkoja kërkoi që mundësisht, familjen, meqë ishin të stabilizuar në Tiranë, të mos e lëviznin. Megjithatë, erdhi një makinë e madhe, hamejtë ngarkuan teshat dhe shkuam në Shkodër. Ne nuk kishim shtëpi në Shkodër dhe u strehuam te xhaxhai. Prej vitit 1956 e deri në vitin 1960, babai ka punuar si drejtor i Parkut dhe nga një ndërmarrje jo rentabël, e vuri në efiçencë të plotë.

Çfarë ndodhi që Taho Sejkoja u bë person i rrezikshëm, saqë u kurdis rrëmbimi dhe zhdukja e tij?

Thuhet se në atë takimin kur ishte prezent edhe Nexhmije Hoxha, Taho Sejkoja i paska thënë: “Njerëzit janë duke vuajtur për bukën e gojës, ndërsa ju me veturë edhe burri juaj me veturë. Pra, duhet ndryshuar diçka në këtë mes, sepse jeni duke i bërë të zezën këtij vendi. “Ia ka thënë troç, saqë të tjerët menduan se do t’i vinin hekurat që aty”.

A ka qenë babai juaj i survejuar? Dini gjë nëse ka pasur ndonjë informator?

Po! Sipas dokumenteve, ka pasur informatorë nga të gjitha kategoritë e njerëzve: në “Zërin e popullit”, në Komisionin e Planit të Shtetit, në drejtorinë e Parkut në Shkodër. Janë një sërë deponimesh, kuptohet, jo me emrin e tyre të vërtetë.

Po, me pseudonime. Këta raportonin edhe sa herë hante mish Taho Sejkoja.

Jeni njohur me dosjen e babës suaj?

Po, i kam marrë. Babain e kanë arrestuar në Parkun e Shkodrës. Ka shkuar makina e Sigurimit të Shtetit me tre oficerë, i kanë hedhur batanijen mbi krye, e kanë arrestuar dhe e kanë çuar në Tiranë.

Babai do të shkonte në Fushë Arrëz, të çonte disa makina në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për punë të saj. Atje e priste vetë Beqir Balluku. Mirëpo kjo ishte komplet lojë. Në momentin që e arrestuan, një grup me dy oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe kryetari i lagjes, Mark Shllaku, erdhën në shtëpi për kontroll. Mark Shllaku erdhi me biçikletë. Unë, si fëmijë që isha, nga qejfi i madh që kishte biçikletë, i’a mora biçikletën e shkova fill te puna e babait.

Aty shoh një grumbull njerëzish. I çuditshëm ky grumbullim, se s’kishte ndonjë festë. M’u afrua njëri e më tha: “Hektor, mos rri këtu, ik në shtëpi!” Nuk më tha se çfarë kishte ndodhur. Kur shkova në shtëpi, pashë që po kontrollonin dhe regjistronin gjithçka. Aty ishte axha im, Suloja, ishte e shoqja, Nazi, ishte nëna dhe daja im. Morën letra e morën fotografi e njëkohësisht, morën edhe një pistoletë ‘Nagant’, trofe lufte, pa fishekë, pa kurrgjë. U kishte thënë vetë: E keni në filan vend, në filan raft.

Dhe kuptohet, në shtëpi kishte rënë bomba, se ishte e paimagjinueshme, që mund të arrestohej Taho Sejko, e të çohej fill e në Tiranë. Këtu filloi drama e madhe e Taho Sejkos. Nga fillimi në mbarim, në mënyrë absolute, ai nuk pranoi asgjë. Absolutisht asgjë! Ky është proces-verbali…!

Ja si shkruhet: Unë, hetuesi i Drejtorisë së Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, mora në pyetje të pandehurin Taho Mehmet Sejko, për të bërë njoftimin e akuzës, data 10 i teti.

Pra, më 28 korrik u arrestua, më 10 gusht, është ky proces-verbal i Hetuesisë. Marrja në pyetje filloi në orën 8 e 15 dhe mbaroi në orën 13 e 45. Tashti, kjo pyetja që filloi në 8 e 15 dhe mbaroi në 13 e 45, ka të shënuara vetëm kaq: “Ti akuzohesh si agjent i zbulimit të huaj, për një kohë të gjatë, së bashku me persona të tjerë, në formë të organizuar, ke zhvilluar veprimtari armiqësore, që ka synuar rrëzimin e pushtetit popullor me forcë, duke zbatuar detyrat e zbulimeve të huaja, ke dhënë informata me karakter sekret dhe ke rekrutuar persona të tjerë”. – A e dëgjuat dhe a e kuptoni aktakuzën?

– E dëgjova dhe e kuptova aktakuzën.

– A e pranoni aktakuzën që ju bëhet?

– Nuk e pranoj aktakuzën, sepse nuk kam qenë kurrë agjent i asnjë shërbimi të zbulimit të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata, me karakter sekret dhe nuk kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri.

Akuza që i kanë formuluar e çonte direkt në pushkatim?

Nuk diskutohet ajo, është e padiskutueshme. Tashti, çfarë ndodhi?

Më 14.11.1960, në Hetuesi, drejtori i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Stavri Madhi, shkruan: “Mora në pyetje të pandehurin Taho Sejko. Pyetja filloi në orën 9.00 dhe mbaroi në orën 10.00.”

Kjo seancë pyetjesh, ka qenë më e shkurtër… Aty do të ketë ngrënë dru ai, se s’ka kuptim tjetër!

Ja dhe ky dokument ku shkruhet: “Na fol për aktivitetin tënd armiqësor”.

Përgjigjja: “Organet e Sigurimit, ashtu siç mbështeteshin në vitin 1946 në gënjeshtra, janë mbështetur sot në gënjeshtra kundër meje, për akuzën time si spiun. Mbasi janë lexuar thëniet e mia, janë shkruar drejt, i firmos.”

A jeni njoftuar nga autoritetet shtetërore për gjithë këtë procedurë, për gjyqin, për eliminimin? Çfarë dini rreth kësaj?

Jo vetëm që s’jemi njoftuar, por ka ndodhur një ngjarje e pazakontë. Më 15 ose 16 maj të vitit 1961, filloi gjyqi në Tiranë për ‘Grupin çam’. Në këtë gjyq përmendet emri i babës, por babai nuk ishte aty. Emri përmendet sikur ky ishte personi, që e kishte ngritur këtë grup, sikur ky ishte i pari.

Atëherë, nëna ime na merr ne, tre fëmijëve, dy motrat dhe mua, e vijmë në Tiranë. Vijmë në Tiranë me qëllimin e vetëm, që të merrte vesh si ta ndihmonte burrin. Te gjyshja ime, një kat më sipër, jetonte një familje, që e kishte dhëndrin avokat, njëfarë Sasha, avokat i njohur, por ishte paksa qen – bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Zbret poshtë ai dhe bëhet kjo bisedë. Na thotë ai: “Kam ardhur për një arsye të veçantë. Se çfarë ka bërë Teme Sejko, e di ai vetë, jep llogari vetë, s’e di unë, nuk mund të flas për të. Por çfarë flet në adresën e të vëllait, s’ka asgjë, absolutisht asgjë të vërtetë!”

Ai na thotë se Teme Sejko, kishte folur për të tërë. Më pas, ne morëm vesh se ky gjyq është bërë me provë gjenerale, siç bëhen prova për shfaqjet teatrale. Është bërë provë gjenerale për gjyqin!

Pse e pranoi Teme Sejkoja këtë farsë?

Ku ta dimë? Hajde gjeje pse e ka pranuar Temja. O e ka bërë druri, ose mashtrimi! Po se çfarë e ka detyruar, është shumë e vështirë ta gjejmë. Në radhë të parë, ka pranuar faje, që s’i ka bërë vetë.

Gjysmë ore pas kësaj bisede, vjen policia na merr e na çon te Selvia, ku ishte Drejtoria e Policisë së Tiranës. Dy orë e kanë mbajtur nënën time në zyrë, duke bërë hetuesi. Si përfundim, më ka mbetur në kujtesë diçka e veçantë. Në momentin që ka dalë prej zyrës së atij shefit të madh, ky, nën zë i thotë: “Shoqe, bën mirë t’i marrësh fëmijët e të ikësh, se këta fëmijë kanë mbetur pa baba, mos mbeten edhe pa nënë”!

Na kanë shoqëruar me policë deri te Ministria e Brendshme, na kanë hipur me policë në makinë e ka ndenjur polici me ne, duke na shoqëruar deri në Vorë, që të mos zbrisnim askund.

Ishte problemi që po të mos largoheshim në çast prej Tiranës, nënën do ta futnin brenda, në burg.

Dy fjalë donte të thoshte nëna ime në Gjykatë të Lartë dhe në Kuvendin Popullor: Çfarë flet Teme Sejkoja për veten, e di ai vetë, por çfarë flet për të tjerë, s’ka absolutisht asgjë të vërtetë!

Prej këtij momenti, për një periudhë të gjatë kohe, flasim për majin e vitit 1961, për një periudhë të gjatë kohe, 5-6 mujore, nuk kemi lëvizur prej Shkodrës. Normalisht, nuk kemi lëvizur prej frikës, se i thanë: “Po erdhe, e ke vendin në burg!”

Pra, Taho Sejkoja u përmend, por Taho Sejkoja s’ishte në gjyq, s’ishte personalisht aty. Në këtë kohë filluan të qarkullonin fjalë, për tri versione: Taho Sejkon e kanë pushkatuar; Taho Sejkoja i ka rënë murit me krye e ka vdekur; Taho Sejkoja është çmendur. Tashti…!

Për këto tri versione, nëna ime i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut për takim, të merrte vesh të vërtetën çfarë po ndodhte me të. Gjyqi u bë, aty u përmend, por s’ishte askund.

Gjyqi ishte i babait apo i Teme Sejkos?

Babai juaj, a pati ndonjë proces gjyqësor?

Prit, tashti po të kallëzoj, punën e procesit gjyqësor. Historia e gjyqit ka të veçantën e saj. Meqë nëna i bëri tri telegrame Kadri Hazbiut dhe ky s’e priti, nënën e thërritën në Degën e Brendshme dhe e pyetën: “Cila ishte arsyeja që ti, shoqe, i kërkon Kadri Hazbiut, takim në tri telegrame”?! Edhe nëna i shpjegon arsyet një, dy, tre…! “Janë shumë fjalë, që qarkullojnë. Duam të dimë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të”.

Dhe Feçor Shehu iu përgjigj: “Po ta kishim pushkatuar, frikë s’kemi të të themi, që e kemi pushkatuar. Po të kishte vdekur, njerëzit vdesin edhe jashtë edhe brenda. Po të ishte çmendur, nuk do të ishte as për ty, as për ne. Do të të thoshim: Shko në Elbasan, atje e ke”!

Dhe fjala e fundit e tij: “Shko rrite atë fëmijë, se këto punë i di Partia!”

Këtë punë e di Partia. Kaq! Pra, jemi para kësaj dileme: një person i arrestuar, një person që përmendet në një gjyq e i del emri, po nuk del personi, një thashethemnajë e pazakontë muhabetesh, poshtë e përpjetë dhe në fund, një përgjigje e kësaj natyre. Tashti, a na pëlqeu kjo përgjigje? Realisht na pëlqeu, se ishte shpresa brenda: Është gjallë!

Nëna i tha: “Mua më kanë bllokuar. S’mund të shkoj në Tiranë, s’mund të lëviz”. Ai ia ktheu: “Je qytetare e Republikës. Qysh sot e mbrapa, ke të drejtë të shkosh ku të duash, për problemet që mund të kesh”.

Kjo hapje e rrugës e bëri nënën të vinte me vrap në Tiranë, në Prokurori të Përgjithshme, ku kërkoi takim me Prokurorin e Përgjithshëm, ta pyeste për problemin e të shoqit.

I thotë: “Kam ardhur, shoku prokuror, për një arsye krejt të thjeshtë. Do të marr një vendim për fëmijët e mi, por dua ta dëgjoj me veshët e mi, se çfarë thotë Taho Sejkoja për veprimtarinë e tij armiqësore. Kam jetuar 16 vjet me të, e kam njohur në luftë, e kam pasur edhe burrë, edhe shok e s’kam as pikën më të vogël të dyshimit për këtë punë.”

Prokurori i’a kthen: “Taho Sejkoja qysh në Luftë ka pasur mendime jo të mira, andej-këtej…! E këto mendime që ka pasur, normalisht, në atë rrugë të çojnë. Por ti nuk mund të marrësh pjesë në gjyqin e Taho Sejkos, për arsyen se gjyqin e Taho Sejkos do ta bëjmë me dyer të mbyllura”.

Nëna ime i thotë: “Shoku prokuror, e beson këtë që po thua? Keni bërë me dyer të hapura gjyqin e Teme Sejkos, Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe komandant i Flotës Luftarake Detare. Doni të bëni me dyer të mbyllura gjyqin e Taho Sejkos, shefi i redaksisë Ekonomike të ‘Zërit të popullit’ dhe drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës? Ku janë sekretet e Taho Sejkos? Ku? Te ‘Zëri i popullit’ që e merr dhe e lexon tërë bota”?

Përgjigja ishte nul: “Gjyqi do të bëhet me dyer të mbyllura”! Gjatë gjithë kësaj kohe që vazhdon kjo histori e që qarkullonin këto fjalë, një ditë të bukur na vjen halla prej Durrësit. Halla ime jetonte në Tiranë, por ka ardhur direkt prej Durrësit. Pse? Në spitalin e burgut në Tiranë, një infermiere çame e thërret hallën time e i thotë: “A ke dëshirë ta shohësh Tahon”? “Po si s’kam dëshirë ta shoh vëllain?!” I thotë infermierja: “Po të jap një copë letër për doktor Vokopolën, por dëgjo, do të shkosh, do t’i japësh letrën dhe aty ku të të ulin, do të rrish. Mos bën gabim as të çohesh në këmbë, as të flasësh ndonjë gjë, të komunikosh me të”. Kështu e udhëzoi dhe i dha letrën.

Unë them se kjo e tëra është e sajuar prej Sigurimit të Shtetit, se s’ka burrë e jo më infermiere në botë që mund të bënte veprime të asaj natyre. Sidomos në atë kohë!

Niset halla, shkon në Durrës e i dorëzon letrën doktor Vokopolës e ky i thotë infermieres atje: “Jepi një përparëse e të ulet aty”. S’kaloi shumë kohë, kur u ndie një zhurmë makine, thotë halla, dhe vjen Tahoja, bashkë me Ali Xhelo Harapin. Ky ishte person i dënuar, ishte prej atyre personave të dënuar në gjyq, se ai kishte dalë në gjyq. Të dy të lidhur dorë për dore, me dy oficerë Sigurimi anash. Të veshur me kostume me stof anglez, thotë ajo. Ky tjetri e kishte bërë copë-copë kostumin, e kishte shqyer. Tahoja ishte në rregull. I vizitoi doktor Vokopola dhe u thotë oficerëve që, për të parin s’kishte çfarë të bënte, sepse ai kishte kaluar…. ishte çmendur, kurse Tahoja ishte më mirë se më parë, por aty nuk kishte dhomë të veçantë që ta mbante.

Vjen halla e na e thotë këtë muhabet. Jo gëzim, por gëzim i jashtëzakonshëm!

Po. Mbas kësaj, ndodh një fenomen tjetër. Zef Bala, shofer i Parkut të Shkodrës, aksidentohet. I këputet kavoja e trupave dhe i dëmtohet shtylla kurrizore. E çojnë në Tiranë. Në atë kohë kishte ardhur një mjek nga Rumania dhe miqtë e Zef Balës, krijuan mundësinë që edhe ky të vizitohej atje. Tani, na thotë Zefi vetë, me gojën e tij: “U futa te paradhoma ku ishte mjeku dhe pashë të ulur në krahun e djathtë, Taho Sejkon mes dy burrave, dy civilë, oficerë të Sigurimit. Po, e pashë! Dhe ai më pa e mendova për momentin, po i flas, se i sëmurë jam…! Si je, shoku Taho? M’u përgjigj: Mirë, Zef, mirë”.

Ja, kaq! Tashti, gjithë këto lajme ishin haberet e para të kësaj situate të re, të kësaj gjendjeje.

Mbas kësaj, normalisht, muhabetet nuk shtereshin, vazhdonin në të gjitha format, në të gjitha mënyrat. Jo pak, por shumë. Nga burime nga më të ndryshmet vinin lajme. Është këtu, është atje, ka bashkëpunuar me Sigurimin, punon me Sigurimin, nga më të ndryshmet. Të gjitha këto lloje haberesh janë stërzgjatur deri në vitin 1990. Nëna ime vdiq në dhjetor të vitit 1984. Më mbeti mua detyra të bëja kërkimin për babain tim./Memorie.al

Zjarr Tv Ad