Pas dështimit në politikë, Ben blushi iu rikthyer sërish pasionit të vjetër- gazetarisë. Ai është shfaqur për herë të parë, pranë stafit si drejtues i televizionit Top Channel.
Në festën e Top Albanina Radio-s, Blushi është parë i shoqruar nga Filip Çakuli dhe Koço Devole, dy prej figurave më të rëndësishme të Topit, si edhe truri i programit investigativ “Fiks Fare”.
Lajmin se Ben Blushi do jetë Drejtori i Përgjithshëm i ‘Top Channel’, e ka dhënë vetë presidentja e kompanisë, Vjollca Hoxha në një komunikimin që ka bërë me drejtuesit e departamenteve të televizionit.
“Kam kënaqësinë të njoftoj të gjithë shikuesit dhe punonjësit e Top Channel se duke filluar nga sot z.Ben Blushi do të jetë Drejtor i Përgjithshëm i Top Channel.
Si një gazetar, shkrimtar dhe politikan që ka vendosur pavarësinë dhe të vërtetën mbi çdo interes, jam e bindur se z.Blushi do të ndihmojë Top Channel për të hapur një cikël të ri komunikimi dhe informimi me të gjithë dashamirësit tanë në krejt hapësirën shqipfolëse.
Dua t’i siguroj të gjithë se Top Channel i mbetet besnik parimeve tona si një media e lirë, e pavarur dhe profesionale, e cila ka qenë, është dhe do të jetë përherë në shërbim të së vërtetës dhe lirisë së informimit”, thuhet në komunikimin e Hoxhës, shkruan TCH.
Ish-kreu i LIBRA-s u largua nga drejtimi i partisë në datën 20 janar dhe emërimi i tij në krye të TCH kishte ditë që përflitej në media.