Presidenti Ilir Meta ka takuar përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se i falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Meta tha se gjatë takimit ka nënvijëzuar rëndësinë që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021.
Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse.