Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama dhe disa ministra inspektuan çmimet e produkteve ushqimore në disa markete të Tiranës, për të verifikuar nëse kishte abuzime.
Ndërkohë, edhe deputeti demokrat Dashnor Sula ka zbritur vetë në terren dhe ka vizituar disa markete në Peqin dhe Rrogozhinë. Ai ka bashkëbiseduar edhe me disa qytetarë, ku i ka pyetur se çfarë mendojnë për rritjen e çmimeve dhe nëse kanë mundësi t’i përballojnë. Ai thotë se marketet duhet të gumëzhinin nga njerëzit pasi është ditë e diel, por të gjithë janë bosh.
Postimi i Dash Sulës:
“Nuk arrijmë që të marrim dot bukën e gojës”
Kryeministri i ka keqkuptuar qytetarët. Ata nuk i kishte marrë malli për ta parë atë çdo minutë në televizor, por presin prej tij që të të marrë masa konkrete duke ulur taksat abuzuese në mënyrë që të ulen edhe çmimet.
Njësoj si edhe në marketin ku ishte Edi Rama sot, edhe në marketet e Peqinit dhe Rrogozhinës ku isha unë, ndonëse ditë e dielë dhe duhet të gumzhinin me klientë, realiteti ishte krejt e kundërta. BOSH! U desh të prisja disa minuta derisa në derë të shfaqej ndonjë qytetarë për të blerë.
Përtej propagandës së qeverisë, situatën reale e pohojnë qytetarët. “Nuk po arrijmë të marrim dot edhe bukën e gojës”, më tha një kryefamiljar duke u lutur që çmimet të bien.
Situata është e trishtë në Peqin, dhe gjithë zonën ku jam zgjedhur deputet. Shqiptarët kanë vite që paguajnë me taksat e tyre agjenci të shumta për të mbajtur në monitorim tregun e që të mos lejojë abuzimin nga ana e bizneseve. Në këto momente nuk ka nevojë për të ngritur borde e për të shtuar numrin e punonjësve të administratës që paguhen me paratë e shqiptareve, por është momenti që qeveria të marrë përgjegjësitë e të veproj njësoj si qeveritë e rajonit të paktën duke pezulluar disa taksa derisa të ketë një situatë më të përmirësuar.