Gazetarja Aranita Brahaj, ishte e ftuar në emisionin “Opinion”, ku ka folur për për pasurinë që ka deklaruar çifti, Edi dhe Linda Rama.
Sipas Brahajt, Kryeministri dhe bashkëshortja e tij, kanë bërë një deklarim të kujdesshëm të pasurisë së tyre. Gjithashtu, ata kanë deklaruar paratë që kanë investuar, faturat si dhe detyrimet që kanë ndaj të tjerëve, apo anasjelltas.
Ndër të tjera, gazetarja tha se; të ardhurat e Kryeministrit pas vitit 2013-të, janë më të shumta nga krijimtaria e tij artistike, sesa nga paga e punës së tij si drejtues i qeverisë.
“Pasuria e çiftit është e deklaruar me shumë kujdes, ka vlera të konsiderueshme, pra nuk qëndron në vlera të ulëta. Çifti i bashkëshortëve kanë dhënë me saktësi të madhe edhe se çfarë kanë investuar, faturat, arsyet pse janë vonuar në pagesën e një fature duke shpjeguar që janë në pritje të një kredie, dhe siç e shohim kanë edhe detyrime ndaj të tjerëve sikurse të tjerët kanë detyrime ndaj tyre. Ajo që bie në sy tek zoti Rama është që zoti Rama çdo vit ka të ardhura nga krijimtaria e tij artistike më shumë se nga paga e kryeministrit. Duket si diçka që bie pa vëmendje dhe pa interes, por në perceptimin tim, palët dhe metodologjia e këtij Inspektorati është difektoze sa kohë merret vetëm me atë që shitet, pra të ardhurat nga piktura. Zoti Rama ka pasuri edhe nga privatizimi, ka pasuri të trashëguara, pasuri që janë vënë gjatë martesës me zonjën Rama. Po ashtu ka edhe zonja Rama e cila vjen nga një karrierë eksperteje dhe ka të ardhura vjetore të kënaqshme për kontekstin e një vendi si Shqipëria”, ka thënë Brahaj.