Patozi: Pse Rama nuk mund ta mbyllë gropën e zezë!

0
74
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-deputeti Astrit Patozi komenton operacionin “Forca e Ligjit”, i njohur si paketa “Anti-KÇK”, që ka nisur prej ditës së djeshme për të goditur krimin e organizuar dhe pasurinë e tyre kri minale. Ndër të tjera, Patozi shkruan se “Ndaj edhe nuk kam shumë shpresë që Edi Rama, edhe sikur ta kishte seriozisht këtë që po predikon, mund të mbyllë në vetëm 10 muaj një gropë të zezë, që është hapur para syve tanë për shumë vite me radhë edhe me bekimin e tij”.

Mesazhi i plotë:

PËR XHELATËT DHE VIKTIMAT E RREME TË ANTI-KÇK-së

Kundërshtarët më të zëshëm të Anti-KÇK-së bëjnë gabim që e sulmojnë ligjin thjesht si një cënim i lirive dhe të drejtave të njeriut apo si një kapërcim të kushtetutës. Jo se nuk kanë të drejtë, sepse shkeljet janë ulëritëse, por kjo nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri, që të bënte ndonjë përshtypje kaq të thellë. Të mos harrojmë që devijime po kaq të forta të kushtetutës kanë qenë edhe dekriminalizimi i famshëm, madje edhe vetë e shumëdebatuara reformë në drejtësi. Ndërkohë që dihet botërisht, se për dekriminalizmin opozita ka pasur eksluzivitet të plotë, ndërsa për reformën në drejtësi parlamenti shqiptar ka gjetur konsensun më të gjerë në historinë e vet, duke votuar me unanimitet.Në këtë kuptim, besueshmëria e argumentit të tyre bie, sepse niset nga premisa jorealiste. Kur, në fakt, problemi më i rëndësishëm i kësaj që po ndodh është, jo përgjegjësia për të marrë përsipër një ligj të jashtëzakonshëm, por përgjegjësia për gjendjen katastrofike të kriminalitetit në vend. E cila nuk ka ardhur në një ditë, që të trajtohet si korona virusi, i cili na kapi në befasi, por ne do ta mundim deri në fund të vitit, pasi të kemi shpikur edhe vaksinën.

Të njëjtin gabim bëjnë edhe të tjerët, të cilët pasi e masakrojnë me gjithë fuqinë propagandës së vet ligjin, si një rrezik të madh për vendin, nisin pastaj e hartojnë lista delinkuentësh politikë, që,sipas tyre, duhet të jenë subjektet e para të Anti-KÇK-së. Dhe kjo është mënyra më e mirë për ta legjitimuar ligjin, sepse duket sikur i vetmi problem është se kush e kontrollon qeverinë.

Nëse do realisht që ta shtrish goditjen edhe tek të kapurit e politikës, nuk mund ta bësh duke përzgjedhur banditët e kudërshtarit, sepse pastaj i bie që ai duhet të caktojë se kush janë të tutë. Ka një mënyrë fare të thjeshtë për të fituar pikë në publik, mjafton që të propozosh shtrirjen e efekteve të ligjeve të jashtëzakonshme edhe për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të shtetit, njësoj siç veprohet me prokurorët, gjyqtarët, policët dhe tani së fundi edhe me bosët e krimit të organizuar.

Ndërkaq, askush nuk po e thotë se përse është nevoja për kaq shumë ligje të posaçme në një vend që problemin më të madh ka moszbatimin e ligjeve normale. Të cilat janë shumë më të thjeshta dhe më të lehta për t’u respektuar, ngaqë nuk para kanë kundërshtarë. Dhe dëshmi më spektakolare për dështimin e një qeverie vështirë se mund të gjendet.

Unë nuk kam ndonjë pritshmëri pozitive për aplikimin e Anti-KÇK-së në Shqipëri. Jo se nuk besoj tek aftësia e organeve tona ligjzbatuese, por ngaqë nuk e pranoj dot qeverisjen me fushata, e cila sot po e trajton fuqizimin e krimit të organizuar si një emergjencë kombëtare, a thua se bandat dhe mafiozët e rrezikshëm me pasuri marramëndëse na i hodhën me parashutë ditët e fundit.

Ndërkohë që ata kanë qenë këtu, duke u forcuar dita-ditës, dhe duke na bërë karshillëk me luksin dhe fuqinë e shtuar të parave të drogës dhe trafiqeve, në jo pak raste edhe në aleancë të hapur me qarqet më të larta të politikës. Ndaj edhe nuk kam shumë shpresë që Edi Rama, edhe sikur ta kishte seriozisht këtë që po predikon, mund të mbyllë në vetëm 10 muaj një gropë të zezë, që është hapur para syve tanë për shumë vite me radhë edhe me bekimin e tij.

Është njësoj si të lësh minjtë të ushqehen me bollëk e të shëndoshen për një kohë të gjatë, e pastaj t’u lëshosh për t’i kapur mace të pangrëna dhe kockë e lëkurë, të cilat edhe në trup janë sa gjysma e tyre.

Zjarr Tv Ad