Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe trajtoi të hënën gjerësisht çështjen e Kosovës. Patriku Irinej dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shprehën edhe një herë vendosmërinë që të vijojnë luftën për të nxjerrë maksimumin nga çdo marrëveshje, pa u ndikuar nga shantazhet e palës tjetër.
Çështja e Kosovës ishte temë kryesore e takimit të Kuvendit të Shenjtë të Kishës Ortodokse që u mbajt të hënën në Serbi.
Pas mbledhjes që zgjati gati dy orë e gjysmë, i ftuari special, kreu i shtetit Aleksandër Vuçiç, u zotua të hënën se do të vazhdojë të luftojë në interes të kombit të vet, pa rënë pre e shantazheve.
Vuçiç: “Kisha ndonjëherë ka pikëpamjet e veta që ndryshojnë nga tonat, por besoj se po punojmë në interesin më të mirë të vendit tonë. Çdo vendim për Kosovën do të jetë i vështirë. Sikurse më tha një peshkop, çfarëdo që të bësh, fajtor ty do të bëjnë.”
Ndërkaq, patriku Irinej i Beogradit, duke e vlerësuar si heroike kurajën e Vuçiç përballë qytetarëve të vet dhe Kosovës, premtoi se ai vetë dhe Kuvendi i Kishës nuk do të heqin dorë nga fqinji jugor.
Irinej: “Përpjekjet për Kosovën kushtëzohen edhe nga situata në botë dhe nga aleatët që mbështetin njërin krah apo tjetrin. Unë i lutem perëndisë që t’i jap Vuçiçit fuqinë dhe urtësinë për ta kryer rolin e Presidentit në mënyrën më të dobishme.”
President serb dhe kryetari i Kishës Ortodokse vendëse u bashkuan të hënën edhe nga lideri serb i Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, dhe të tre u shprehën se ndasitë rreth problematikave kombëtare do i ulin shanset e arritjes së një kompromisi për Kosovën.