Patronazhistët i shkruajnë (në telegram) hakerave iranianë

0
622
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lutfi Dervishi

Vëmendja që keni marrë në Shqipëri dhe përtej saj këto ditë është krejt e pamerituar.

Të gjithë po flasin për ju a thua se çfarë keni bërë.
Të dhënat që ju i keni nxjerrë në shitje, ne i kemi patur prej 18 muajsh. Madje kemi më shumë të dhëna se ju. Madje ju keni marrë vetëm një pjesë të të dhënave që kemi.

Jeni përpjekur me muaj të tërë, por nuk ja keni dalë të keni pagat e shqiptarëve. Ne i kemi ato të detajuar, madje kemi edhe punëdhënësit strategjikë që kanë paguar punëtorët nën minimumin e parashikuar nga ligji shqiptar.

Jeni rrekur të merrni adresat e banimit. Nuk ja keni dalë dot. Ne i kemi të përditësuar orë pas ore. Keni kërkuar targat e makinave dhe nuk ja keni dalë. Ne i kemi të gjithë targat shqiptare dhe madje edhe të hujave që vijnë në Shqipëri.

Ju mburreni se keni sistemin TIMS dhe kontrolloni se kush hyn e kush del nga Shqipëria. Ne, kemi më shumë se ju. Kemi edhe emrat e të gjithë atyre që po ikin në Angli në rrugë ilegale pa lënë gjurmë në sistemin TIMS.

Edhe po t’i merrni pagat, targat, adresat, vendet e punës, ne kemi diçka që ju nuk do ta hakeroni dot kurrë.

Ju bashkë me rusët harxhoni miliona euro për të ndikuar në zgjedhjet e vendeve perëndimore. Ne e dimë rezultatin e zgjedhjeve pa u bërë votimet. Ne e dimë për kë votojnë shqiptarët. Ne dimë se çfarë mendojnë shqiptarët.

Ju, pas disfatës që keni pësuar 10 vite më parë nga Mossad-i, keni vrarë trurin për t’u bërë hakera profesionistë. Keni thartuar trutë me studime. Po ju themi se ne nuk marrim vesh, si i thonë nga hakerimi, nga teknologjia informacionit, nga sulmet kibernetike, por pa ditur asgjë nga elektronika, interneti, viruset dhe kibernetika ne kemi të gjithë të dhënat e AKSH-it.

Ju, keni nxjerrë të dhënat e AKSH-it në shitje për 400 dollarë. Hiqni dorë se nuk do të shisni asnjë kopje. Ne nuk do t’iu ulim pazarin, por do të bëjmë që ju të mos merrni asnjë cent, asnjë bitcoin asgjë prej gjëje. Ne i ofrojmë falas këto të dhëna.

Na vjen keq për ju se jeni munduar dhe jeni zbuluar faqe gjithë shqiptarëve dhe mbarë rruzullit tokësor. Tani gjithë bota e di se kush jeni. Në Shqipëri janë botuar portretet e katër prej jush.

Asnjë prej nesh nuk është identifikuar. Nuk na gjejnë jo portalet, por as vetë Google. Këta jemi ne.

Ju keni mbetur jetim. Ju nuk ju del për Zot askush. As Ajatollahu. Ne na ka dale për zot dora vetë i pari i vendit, Kryeministri i Shqipërisë.

E fundit, por jo nga rëndësia.

Po ju paralajmërojmë.

Hiqni dorë nga tentativa për shitje të dhënash personale të shqiptarëve. Databaza e të dhënave të AKSH-it është prona jonë intelektuale. Për t’u bindur për këtë po ju vemë në dispozicion deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë gjatë fushatës elektorale, si dhe një kopje të të dhënave që tregon se ne i kemi patur ato të dhëna para jush.

Ju bëjmë me dije se databaza e të dhënave tona mbrohet nga ligji në Shqipëri dhe direktiva europiane për tregtinë elektronike.

Pa respekt për ju

Grup Patronazhistësh

Zjarr Tv Ad