PD do bojkotoi seancën për Presidentin, Salianji ashpërson tonet me Alibeajn: Je ulur këmbëkryq me Ramën, vendimin e more vetë

0
68
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka dalë kundër vendimit të Enkelejd Alibeajt për bojkotimin e seancës parlamentare, për zgjedhjen e Presidentit. Ai akuzon kryetarin e Grupit se vendimin e mori “ulur këmbëkryq me Ramën”.

“Vendimet pa zhvilluar më parë mbledhje grupi janë vendime individuale, çdo vendim i shpallur pa diskutime në grup, pa debat dhe pa vendimmarrje kolegjiale është nul! Çdo funksion nuk është pronë private, secili prej nesh përfaqëson qytetarët”, vijon Salianji.
Deputeti demokrat thotë se prej kohësh ai ka kërkuar që PD të mos hynte në pazare në tavolina jo institucionale, por vetëm nëse maxhoranca ilegjitime i jepte të drejtën e propozimit opozitës.

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:

“Bojkoton parlamentin e zgjedhur nga populli ndërkohë që u ul këmbëkryq me të zgjedhurit nga Rama!

Bojkotet kanë passjellë pasoja shkatërruese për Partinë Demokratike!

Jemi në këtë situatë nga ata që ju përdrodhen politikës duke menduar që do përfitonin me bojkote.

Vendimet pa zhvilluar më parë mbledhje grupi janë vendime individuale, çdo vendim i shpallur pa diskutime në grup, pa debat dhe pa vendimmarrje kolegjiale është nul! Çdo funksion nuk është pronë private, secili prej nesh përfaqëson qytetarët!

Nuk ka asnjë manovër që mbulon dot përgjegjësinë politike për dështimin, nuk na duhet të ulemi me Ramën përherë që përherë të themi sa i poshtër ishte!

Është naivitet vrastar dhe inat jopolitik të braktisësh institucionet nga mllefi që “nuk ju dha pazar” por u përdorën! Si mund të propozohet bojkoti, mënyrë tipike lindore kur si parti luftojmë në emër të vlerave perëndimore!

E kam paralajmëruar që në fillim të procesit që kandidatin e kishte mbyllur Rama në zarf dhe do e nxirrte në fund siç edhe ndodhi.

Kam kërkuar me insistim që Partia Demokratike mos hynte në pazare ne tavolina jo institucionale, por të ulej vetëm dhe vetëm nëse maxhoranca ilegjitime i jepte të drejtën e propozimit vetëm opozitës!

Sot pasi e dështuan atë pazar negociatë a ka të drejtë publiku të mendojë se gjithçka u bë për interesa personale?

A ka qytetar që i jep dot shpjegim se si Partia Demokratike i jep kuorum dhe merr pjesë në seancat 5 minutëshe ku digjeshin raundet pa kandidatë dhe ku kuorumi duhej të ishte 84 deputetë!

Si shpjegohet që Ramës iu dha ajo që nuk e kishte dhe sot kërkohet bojkot dhe mospjesëmarrje në seancë për tē dëmtuar në sytë e publikut opozitën!

Është e papranueshme që t’u kërkohet gjithë deputetëve të bojkotojnë parlamentin ndërkohë që i vetmi bojkot duhej të ishte ulja në tavolinën joformale të Ramës dhe të zgjedhurve të tij!”

Zjarr Tv Ad