Ish-deputeti Myslim Murrizi shprehet se nuk ka ikur nga Partia Demokratike, por që është përjashtuar nga Kryesia e kësaj force politike. Ai ka sqaruar gjatë një interviste te “Ora News” se nuk ka patur ndonjë hatërmbetje me kreun e partisë Lulzim Basha, por pret që të vijë dikush që të mundë kryedemokratin.
“Unë nuk kam ikur nga Partia Demokratike, më kanë përjashtuar kryesia e PD. Unë s’kam ik se jam mërzit me Bashën dhe po pres që të vijë një që të luftojë Bashën të jetë më i mirë”, shprehet Murrizi.
Më tej ish-deputeti shton se PD-ja duhet të kthehet në “binarët” e të qenurit demokratike dhe të ketë hapësirë për çdo kontribues. Sipas Murrizit nëse Basha kërkon që ta largojë Ramën nga qeveria, nuk duhet të kërkojë që të bëhen ndryshime Kushtetuese.
“PD duhet të kthehet në binarët e të qenurit realisht demokratike, që të ketë hapësirë për çdo kontribues. Pra duhet të ketë rregulla demokratike dhe jo statut si shoku Enver duhet të pranojë mendim ndryshe. Nëse e ka seriozisht për të përzënë Ramën nga qeveria nuk duhet të kërkojë ato tgre gjërat qesharake për ndryshimet Kushtetuese”, tha Murrizi.