Deputeti demokrat Gazment Bardhi, thotë se pas 32 vitesh ka ardhur koha që Partia Demokratike të ketë një lider të ri. Duke ju referuar Sali Berishës si e shkuara, sipas tij ai nuk ka më të ardhme në selinë blu, ndaj duhet një lider tjetër.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Bardhi tha se Sali Berisha nuk mund të jetë e ardhmja e demokratëve sepse ai është izoluar nga partnerët strategjikë të Shqipërisë. Një vit më parë, Berisha dhe familja e tij u shpallën “non-grata” nga SHBA.
“Dua të them që ne nuk duam që të kemi një betejë brenda PD-së por Berisha është ai që vendosi fokusin e betejës brenda PD-së.
Personalisht kam bërë një zgjedhje për të gjithë njerëzit që kanë besuar tek unë se për çdo shpifje që bën Berisha ndaj meje, unë do ti përgjigjem me një të vërtetë ndaj tij.
Atë që unë besoj, që ai nuk është e ardhmja e PD-së e kam thënë e do ta them me zë të lartë.
Jam i bindur që në politikë nëse bën gjërat që besojnë koha do të japë të drejtë. Unë besoj që Berisha nuk është e ardhmja e PD-së. Ai është i izoluar nga partnerët tanë strategjikë dhe pas 32 vitesh PD-ja duhet të prodhojë një lider të ri”, u shpreh deputeti Bardhi.