Partia Demokratike ka bërë të ditur sot se Komisioni Europian e ka rrëzuar zyrtarisht ligjin special të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Deklarata u bë nga deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila e konsideroi letrën e ardhur nga KE-ja, që prej katër ditësh po mbahet e fshehtë nga qeveria, si fitoren e parë të qytetarëve dhe opozitës!
“Komisioni Europian ka rrëzuar zyrtarisht ligjin Special “Rama Fusha” për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave me paratë e drogës dhe korrupsionit, si një ligj korruptiv dhe kientelist. Qeveria e mbajti të fshehur për 4 ditë letrën e Komisionit Europian me qëllim manipulimin e opinionit publik, por përgjigja e Brukselit është e qartë: Qeveria ka shkelur ligjin! Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore.
- Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës.
- Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si “Fusha shpk”.
Prandaj dhe qeveria shpiku ligjin “FUSHA: për t’i grabitur tokën Teatrit Kombëtar dhe për t’ia dhuruar atë kësaj kompanie me qëllim ndërtimin e kullave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit. Siç edhe vërehet në letrën që erdhi si përgjigje e këmbënguljes së opozitës, qeveria dhe bashkia kanë shkelur me dy këmbë procedurat e prokurimit të hapur, duke mos mohuar për asnjë moment ndihmën e qeverisë për kompaninë “Fusha”, nëpërmjet dhurimit të tokës publike.
Por, sikundër edhe letra artikulon qartësisht, Komisioni Europian nuk mund të jetë një institucion gjykues për saktësinë e ligjit në fjalë në raport me Kushtetutën e vendit. Për një veprim të tillë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, e cila mbahet sot e bllokuar nga mazhoranca pikërisht për të prodhuar ligje si Ligji Fusha dhe për të kënaqur orekset e oligarkëve apo pastruar paratë e kriminelëve dhe pushtetarëve.
Partia Demokratike zotohet se do të luftojë deri në sekondën e fundit për ta rrëzuar një herë e mirë ligjin dhe megafaerën korruptive kriminale të grabitjes dhe shkatërrimit të Teatrit Kombëtar për të pastruar paratë e pista të drogës. Përgjigja e Komisionit Europian u dha qytetarëve dhe opozitës fitoren e parë. Mesazhi është i qartë : të bashkuar ne mund ta ndalim të keqen dhe ta rrëzojmë atë!”