Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, përmes një interviste të dhënë për studion e lajmeve të televizionit FaxNews, analizoi situatën brenda PD-së në këtë vigjilje të nisjes së legjislaturës së re parlamentare. Boçi u shpreh se zgjedhjet në Këshillin Kombëtar të PD-së, nuk janë jashtë afateve statuore, por janë në kohën e duhur dhe të dobishme për të udhëhequr betejën opozitare.
Sa u përket deklaratave të Mark Markut dhe heqjes dorë nga mandati i deputetit prej tij, Boçi u shpreh se nga pikëpamja njerëzore ai bie dakord me të, por nga pikëpamja politike është një vendim i gabuar. Luçiano Boçi thekson se Marku është zgjedhur nën siglën e PD-së nga votat e qytetarëve dhe ka detyrim përfqësimin e tyre në parlament, qoftë edhe si opozitar i Bashës. Gjithashtu, ai kundërshton dhe deklaratat e deputetit Marku se PD është pronë e Bashës dhe Berishës, duke theksuar se PD është një aset publik, në pronësi të askujt.
“Nuk mendoj se zgjedhje në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike janë jashtë afatave statuore, pasi zgjedhja e kryetarit ndikoi dhe te zgjedhjet e tjera. Zgjedhje të tilla nuk ndikojnë në analizën e zgjedhjeve, por vetëm e shëndoshin atë. Analizat politike kanë treguesit dhe indikatorët e tyre dhe nuk ndikojnë emrat e rinj që do të zgjidhen në bërjen e saj. Është në gjykimin e zotit Marku dhe unë e shoh si një veprim njerëzor, brenda karakterit dhe personalitetit të zotit Marku, i cili gre zërin ndaj çdo padrejtësie që ai gjykon, kudoqoftë. Është një oponent i lindur. Duke e parë nga pikëpamja njerëzore, unë mund ta kuptoj, por nga pikëpamja politike nuk bie dakord.
Marku ishte përfaqësues i Partisë Demokratike dhe ka kërkuar vota me siglën dhe programin e Partisë Demokratike, ndaj ai duhet të përfaqësonte njerëzit që e besuan qoftë dhe si opozitar i zotit Basha në Kuvend. Është një akt që i jep koloritet Partisë Demokratike, ku evidentohen dhe zërat ndryshe të cilat nuk janë në të njëjtën linjë me vendimet e kryetarit. Nga ana njerëzore, unë e kuptoj se është një vendim personal, ndërsa nga ana politike nuk jam dakord.
Deklarata e zotit Marku se Partia Demokratike shërben për mbrojtjen e interesave të Bashës dhe Berishës, përfshijnë këndvështrimet e tij që janë të ndryshme nga tezat e mia. Partia Demokratike është në kundërshtim me këtë tezë, pasi nuk është një parti që i përket dikujt. Nuk është pronë as e kryetarit aktual, i cili duhet ta menaxhojë atë dhe ta sjellë në fitore. Politikisht akuzat e zotit Markut duhen refezuar, zoti Marku duhet të reflektojë me akuzat e tij qoftë duke i tërhequr, qoftë duke i argumentuar më tepër”, tha Boçi.