PD në prag të finalizimit për tenderin e projektit të Unazës së Madhe, ka dalë me një tjetër akuzë, sipas PD-së, Edi Rama e ka paracaktuar se kush do ta përfitojë tenderin e Unazës së Re.
Në një dalje për mediat nga selia blu, përfaqësuesja e departamentit antikorrupsion Lealba Pelinku, tha se sot, po ndodh teatri i radhës me projektin korruptiv 40 milionë euro.
“Edi Rama është peng i pazareve me oligarkët e ndërtimit, prandaj nuk tërhiqet nga projekti kriminal i Unazës së Re. Sot, po ndodh teatri i rradhës me projektin korruptiv 40 milionë euro. Është hapur gjoja tenderi për segmentin e Shqiponjës, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazëm, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar. Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.”
Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra. Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazëm, e rregjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.
Një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të në infrasktrukturë. Ato jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por një prej kritereve, i vetmi që ka ndryshuar nga tenderi i parë, është bërë që i preferuari i Edi Ramës të futet në tender, por sërish duke përjashtuar shumë kompani të tjera. Partia Demokratike e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anulluar i gjithi. Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar.”, tha Pelinku.