Bashkia e Tiranës reagon ndaj deklaratës së Partisë Demokratike të bërë ditën e sotme nga Grida Duma, lidhur me një udhëtim të pretenduar që kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka bërë dy ditë më parë në Paris.
Në reagimin e bashkisë thuhet se kjo është një sajesë e ulët që vetëm zyra e SHQUP-it mund ta fabrikojë dhe, si çdo gënjeshtër tjetër e tyre hidhet poshtë lehtë.
Sqarohet se kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi ka inspektuar dje rreth orës 10.00 të paradites punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Kopshtit 17, ka udhëtuar për në Itali me një kompani fluturimi “low cost” për të vizituar deputetin e PS, Bashkim Fino, i cili po kurohet prej disa ditësh në shtetin fqinj.
“Mbrëmjen e djeshme z. Veliaj është kthyer sërish në Tiranë, për të vijuar sot në mëngjes me inspektimin te Parku i Madh i Liqenit, ku edhe deklaroi se i shtohen 25 hektarë hapësirë publike e gjelbërim, si dhe një takim me ambasadoren e Islandës në Tiranë, Estrid Brekkan. Për ta faktuar këtë po publikojmë edhe biletën e udhëtimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në qëndrimin e bashkisë.
Ndër të tjera Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku vijojnë punën e pandalur për kthimin e Tiranës në drejtimin e duhur.
Duma: Veliaj në Paris me çarter të paguar nga biznesmeni, dërgon kaseta si të ishte në Tiranë
Partia Demokratike tha sot se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, dy ditë më parë ka udhëtuar me një avion çarter nga Rinasi drejt Parisit.
Në një dalje të sotme për mediat nga selia blu, Grida Duma tha se me të kanë udhëtuar zëvendësi i tij Mazniku, një ndihmëse e tyre dhe një biznesmen.
Sipas saj, ndërsa Veliaj gëzonte luksin e Parisit, për qytetarët shqiptarë u kishte dërguar mediave një kronikë të gatshme, video sikur ndodhej në krye të detyrës duke inspektuar një kopsht në Tiranë.
“Lehtësia me të cilën Veliaj mashtron publikun është tashmë e njohur nga të gjithë. Të nesërmen e dasmës ai dërgoi kasetën në media sikur gjoja kishte dalë në punë. Shkoi në Sri Lanka dhe përsëri dërgoi në media kasetën sikur punonte në Tiranë. Është mania e pakontrolluar e një njeriu që mashtrimin e ka sëmundje patologjike. Por rasti i fundit është më shumë se mashtrim. Eshtë dëshmi e pazareve të Veliajt me planin urbanistik dhe kullat që ka vendosur të mbjellë në Tiranë. Nuk ka shqiptar që mund të mendoje se një biznesmen mund të paguajë për luksin e Erion Veliajt pa përfituar gjë të paligjshme prej tij”, u shpreh Duma.
Në vijim ajo tha se Erjon Veliaj duhet të përgjigjet publikisht:
-Pse udhëton me çarter për në Paris me një kosto të paktën 60-70 mijë euro?
-Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter?
-Kush e pagoi çarterin?
-Çfarë interesash ka me bashkinë, biznesmeni që pagoi çarterin dhe qëndrimin luksoz të Erjon Veliajt në Paris?