Edhe pse nuk është regjistruar dhe ka garantuar se nuk do të lejojë zgjedhje në 30 qershor, Partia Demokratike ka vendosur të çojë anëtarët e saj në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.
Burime të besuara i thanë RTV Ora, se të gjitha degët janë urdhëruar të punojnë dhe të përzgjedhin emrat që do të përfaqësojnë opozitën në komisionet zonale të administrimit zgjedhor në gjysmën e të cilave PD-ja ka shumicën.
Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare 2 muaj me parë refuzuan dhe shkelën afatet kushtetuese për të dërguar në KQZ emrat e anetareve të KZAZ-ve, duke dhënë shenjën e parë të bojkotit zgjedhjeve.
Të njëjtat burime theksuan se caktimi i anëtarëve te KZAZ-ve, nuk e ndryshon vendimin e opozite për të bojkotuar procesin zgjedhore te 30 qershorit.
Partia Demokratike, pretendon se anëtarët e KZAZ që janë të PS, janë duke kryer shkelje të rënda ligjore, deri në regjistrim të paligjshëm kandidatësh apo falsifikim të dokumenteve, dhe dërgimi i anëtareve të saj ka për qëllim dokumentimin e këtyre shkeljeve.
Kjo thuhet se do i shërbeje kauzës së opozitës për të garantuar zgjedhje te lira e të ndershme.