PD-Vlorë denoncon skandalin: Porti i Vlorës do jepet me koncesion dhe…

0
92

Jemi sot këtu për të denoncuar veprimin kriminal të “Sektit të Rilindjes”, shpërdorimin e fondeve publike të qeverisë socialiste, e cila po godet përsëri qytetarët vlonjatë me vendimin e KKT-it, Nr.1 datë 14.10.2020 “Për Miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale”.

Qeveria e grabitjes së pronave publike ka vendosur, në mungesë të konsultimit publik, zhvendosjen e Portit Detar të Vlorës pranë (Triportit) ose Portit të Peshkimit në një afat 3-vjeçar.
Ky vendim i imponuar përveç se është një ndëshkim i qytetarëve dhe i biznesit lokal, shemb me papërgjegjësi të plotë investime të mëdha të kryera më parë nga qeveritë.

Shprehim gjithashtu se: Vendimi në fjalë është hapi i parë i dhënies me koncension të portit, duke përdorur modelin e vjedhjes së aseteve publike me strategjinë PPP, e cila po rishfaqet rishtazi edhe në Vlorë.

Dhënia me PPP e Portit të Vlorës e cila synon t’i shërbejë Klientit të rradhës, është një tjetër shembull i nëpërkëmbjes dhe sakrifikimit të një prej aseteve më të rëndësishme ekonomike të Vlorës që po grabitet me “ligj” për hir të babëzisë së një njeriu në ikje.
Ne jemi sto këtu pvr tju informuar me disa të dhëna financiare të investimeve të kryera nga viti 2015 deri më vitin 2019 në këtë objekt strategjik të infrastrukturës dhe transportit kombëtar detar:

  1. Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve, përfunduar në vitin 2018 me vlerë kontrate 2.6 miliard lekë;
    2. Rikonstruksioni i Kalatës Lindore në Portin Detar Vlorë realizuar në vitin 2019 me vlerë kontrate 115 milion lekë;
    3. Rikonstruksion i Portës Hyrëse Perëndimore të Portit realizuar në vitin 2016 me vlerë kontrate 103 milion lekë;
    4. Linja e furnizimit me ujë të portit realizuar në vitin 2015 me vlerë kontrate 59 milion lekë;
    5. Krijimi i rrjetit të transmetimit të të dhënave të sigurisë realizuar në vitin 2017 me vlerë 652 milion lekë;
    6. Rikonstruksioni i Degës së Doganës Vlorë me vlere kontrate 300 milion lekë.
    Këto janë vetëm disa prej investimeve të rëndësishme me një vlerë totale prej mbi 3.7 miliard lekë që do të zhvlerësohen plotësisht. Dhe ky Vendim i qeverisë Rama i zhbën këto investime të mëdha financiare.

Pa folur këtu për investimin që po kryhet aktualisht në Portin e Peshkimit për Merkatën e Peshkut me vlerë 1.6 miliard lekë, investim ky i cili del jashtë funksionit!!!

Të nderuar qytetarë!
Nuk janë vetëm këto investime të hedhura në kosh apo të braktisura …
Zhvendosja e Portit Detar Vlorë pranë Portit të Peshkimit (Triport), do të shënojë shkatërrimin dhe falimentimin e plotë të industrisë së peshkimit, një industri tradicionale dhe jetike për qytetin e Vlorës.

Transferimi dhe pretendimi për ngritjen e një objekti të ri, jo vetëm që pezullon dhe bllokon për një kohë të gjatë aktivitetin e industrisë së peshkimit, por krijon premisat e një manovre nënshtrimi ndaj oligarkut të radhës.

Përveç zhvlerësimit të investimeve, vendimi i KKT u fal klientëve të qeverisë investimin e rëndësishëm të Bashkimit Europian për “Rik. e Kalatave dhe ndërtimin e Bankinës së Re në Port”, një investim me një vlerë rreth 15 milion euro.

Rruga lidhëse e Portit Vlorë me rrugën Transballkanike me vlerë kontrate mbi 1.2 milion euro, që prish dhjetëra banesa familjare, i shërben këtij koncensioni dhe jo më Portit të Vlorës. Kjo rrugë lidhëse nuk do të na çojë më në port, por në kullat shumëkatëshe që do të ndërtohen në këtë zonë.
Kjo qeveri shpërdoron në mënyrë të përsëritur paratë e taksapaguesve shqiptarë për të ndërmarrë projekte pa asnjë plan të mirëfilltë dhe rentabilitet ekonomik.

Ky vendim nuk është thjesht keqmenaxhim ose mungesë plani: është Ndoshta rasti më flagrant i injorimit të interesit publik, lokal e kombëtar.
Kjo sjellje dhe Ky urdhër autoritarist, ka injoruar krejt funksionet dhe përfaqësimin kushtetues të pushtetit vendor dhe komunitetit qytetar në Vlorë.

Partia Demokratike, i bën thirrje Edi Ramës, të zbatojë ligjet në fuqi, e të anulloj vendimin që zhvlerëson investimet e përmendura më sipër me pasoja të rënda ekonomike për qytetarët, peshkatarët dhe bizneset e vlorës.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë, të nis sa më shpejt një hetim mbi rastin për të dërguar përpara drejtësisë të gjithë personat, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë shkelur ligjin.