Përfaqësuesi i lartë në Bosnje: Nuk kemi ndonjë rrezik nga ndikimi rus

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, tha se politika e Rusisë është e karakterizuar nga agresioni kundër Ukrainës, megjithatë tha se ndikimi i Moskës aktualisht nuk paraqet ndonjë “rrezik akut” për Bosnjën.

“Ndikimi rus në Bosnjë duhet të vëzhgohet ashtu siç është, dhe duhet të shihet se si do të zhvillohet, por mendoj se aktualisht ne nuk kemi ndonjë rrezik akut për Bosnjë e Hercegovinën”, tha Schmidt në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, shumë njerëz në Bosnje kanë ndjenja të ndryshme kur e shohin Rusinë, “madje edhe në Republikën Sërpska”, njërin prej dy entiteteve të shtetit.

“Politika ruse është e karakterizuar nga agresioni kundër Ukrainës dhe siç e shoh unë Rusinë dhe të gjithë atë që ka të bëjë me [presidentin rus, Vladimir] Putinin, dhe përreth tij, ka shumë probleme. Ata nuk e kanë pritur se do të hasin në një rezistencë të tillë të njerëzve që po luftojnë për lirinë e tyre. Mendoj se shumë njerëz këtu [në Bosnje] kanë ndjenja të ndryshme kur e shohin Rusinë, edhe në Republikën Sërpska. Njerëzit këtu nuk duan luftë. Njerëzit nuk duan që jeta apo ekzistenca e tyre të varet nga kjo, të vuajnë nga çfarëdo lloj dhune apo force dhe mendoj se këtë e di [lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad] Dodik”, tha Schmidt.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate, që kanë dhjetë kantonte, në Republikën Sërpska të dominuar nga serbët dhe në qarkun e vogël vetëqeverisës të Bërçkos.

Dodik, udhëheqës i serbëve të Bosnjës, prej kohësh gëzon mbështetjen e Rusisë. Lideri i serbëve të Bosnjës ka kërcënuar se Republika Sërpska mund të shkëputet nga shteti.

Përfaqësuesi i Lartë foli edhe për ndryshimet që ka bërë në Ligjin zgjedhor në natën e zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën më 2 tetor.

Ndryshimet që Schmidt bëri në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, ndërkaq zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se ishte “vendim personal” i përfaqësuesit të Lartë.

“Qëllimi im është që të përmbush detyrat e mia që dalin nga Marrëveshja e Dejtonit, të nisin proceset, dhe të kujdesem që fryma e vetë marrëveshjes të mos shkelet. Prandaj, vendimet që marr janë vendime të mia dhe i ndërmarr ato nga kjo perspektivë. Unë nuk mund të pres pajtim për çdo gjë”, tha Schmidt.

Vendimi i fundit i Schmidtit përfshin rritjen e madhësisë së Dhomës së Popujve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, për të “korrigjuar mbipërfaqësimin” në këtë institucion nga disa prej grupeve etnike. Ky ndryshim nënkupton se secili nga kombet konstituive (serb, kroat dhe boshnjak), do të ketë nga 23 delegatë, në vend të 17 siç kishin më herët.

Në vendimin e 2 tetorit, Schmidt deklaroi se masat e ndërmarra synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 2 tetor.

Kjo ishte pakoja e tetë e masave për përmirësimin e funksionalitetit në shtet, qëkur Schmidt mori mandatin e përfaqësuesit të Lartë në gusht të vitit 2021. Ai i ka marrë këto vendime në bazë të Fuqive të Bonit, që i lejojnë atij të ndryshojë ligjet, Kushtetutën e entiteteve ose të ndryshojë zyrtarët në këto entitete. Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë ka autoritetin final sa i përket interpretimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit./ Marrë nga REL

Zjarr Tv Ad