Përgjaken Pashkët në Sri Lanka, bilanci i viktimave shkon mbi 200

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

E diela e Pashkëve është përgjakur në Sri Lanka, si pasojë e 6 shpërthimeve në tri kisha dhe në dy hotele.

BBC raporton se nga shpërthimet mbi 207  persona jenë vrarë dhe 450 të tjerë janë plagosur, por pritet që numri i viktimave të rritet.

Autoritetet thonë se u raportua për 6 shpërthime, ndërsa në shënjestër kanë qenë tri kisha dhe dy hotele.

Ngjarja ka ndodhur kur besimtarët filluan kremtimin e të dielës së Pashkëve.

Shpërthimet duket se kanë qenë të koordinuara, pasi kanë ndodhur rreth orës 8:45 sipas kohës lokale.

Ndërkohë mediat lokale raportojnë se në të njëjtën kohë, në kryeqytet, u goditën hotelet Shangri-La dhe Kingsbury.

Dy persona hodhën veten në erë

Policia zhvilloi operacione kërkimi në lagjen Dematagoda, në periferi të kryeqytetit, Kolombo, ku u regjistruan shpërthimet. Pas mbërritjes së policisë në lagje, u kryen dy shpërthime të tjera. Mendohet se dy pjesëtarë të grupit që kreu sulmet hodhën veten në erë për të mos u arrestuar. Sipas shefit të policisë, tre police mbetën të vrarë gjatë operacionit.

Asnjë përgjegjës për sulmin

Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin vdekjeprurës. Por thuhet se luftëtarët e kthyer nga grupi i Shtetit Islamik mund të paraqesin një kërcënim në vend.

Presidenti kërkon hetim, kryeministri: Destabilizim për vendin

Presidenti Maithripala Sirisena nëpërmjet një deklaratë ka bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë të qetë dhe të mbështesin autoritetet në hetimet e tyre.

Kryeministri Ranil Wickremesinghe ka zhvilluar një takim urgjent.

Ndërsa në në Twitter, Ministri i Financave Mangala Samaraweera tha se sulmet u dukën si një “përpjekje e koordinuar mirë për të krijuar vrasje, sakatim dhe anarki” duke  vrarë “shumë njerëz të pafajshëm”.

Ministri i Mbrojtjes Ruwan Wijewardena i cilësoi sulmet një incident terrorist dhe fajësoi ekstremistët fetarë për këto akte. Kryeministri Ranil Wickremesinghe shprehu shqetësimin se akte të tilla mund të sjellin destabilitet dhe të dëmtojnë ekonominë.

Mesazhe ngushëllimi nga e gjitha bota

Nga e gjithë bota janë përcjellë mesazhe solidariteti, dhe dhimbjeje për viktimat si dhe deklarata që dënojnë këto akte. Në meshën tradicionale të Pashkëve, Papa Françesku shtoi një mesazh ku shprehte dashurinë e tij për komunitetin e krishterë në Sri Lanka që ishte sulmuar gjatë lutjeve në kishë me rastin e kësaj dite të shenjtë.

Dhuna më e rëndë që nga lufta civile

Përmasat e kësaj kasaphane kthejnë në mendje luftën e përgjakshme ciivle në Sri Lanka, kur separatistët që i përkasin grupit etnik tamil, të organizuar në grupimin Tigrat Tamilë si dhe grupime të tjera kryengritëse kryenin sulme të ndryshme, ndër të cilat raste kur sulmuan Bankën Qendrore, një kompleks shitblerjesh, një tempull budist dhe hotele që frekuentoheshin nga të huaj.

 

Zjarr Tv Ad