Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha , gjatë mbledhjes me 71 krerët e degëve të kësaj force politike, i ka drejtuar një mesazh të fortë edhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Basha është shprehur se do ta zbatojë statutin ndaj kujtdo, pasi kush shkel vendimin e Kryesisë së partisë, fatin e ka të caktuar nga statuti.
“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut. Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka te caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi te tjerët”, u shpreh Basha.
Kujtojmë që Kryesia e PD vendosi të mbledhë Kuvendin Kombëtar në 18 Dhjetor, ndërsa Sali Berisha së bashku me më shumë se 4200 delegatë kanë kërkuar thirrjen e Kuvendit në 11 Dhjetor. Ky mesazh i Bashës mund të shihet edhe si një paralajmërim për Berishën, të cilin mund ta përjashtojë nga Partia demokratike, dhe jo vetëm nga Grupi Parlamentar siç bëri në shtator.