Përjashtimi nga Komisioni për Azilin dhe Refugjatët ka nxitur reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili i është drejtuar me një letër të hapur Ministrisë së Brendshme duke i kërkuar shpjegime për këtë vendim.
Në një intervistë për Fax News, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj i kërkon Ministrisë së Brendshme të reflektojë në lidhje me vendimin për përjashtimin e KShH nga Komisioni për Azilantët dhe Emigracionin.
Skëndaj thotë se lajmin se janë përjashtuar nga Komisioni e kanë marrë duke kontrolluar vetë në faqen zyrtare të Ministrisë. Ndër të tjera, zonja Skëndaj thekson se roli i KShH ka qenë gjithmonë mbrojtja e të drejtave të azilkërkusve, gjë e cila është reflektuar dhe me qëndrimin në pakicë për çështje të ndryshme.