Dhjetëra mijëra banorë do të evakuohen nga shtëpitë e tyre në Sydney, pas shiut të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve në qytetin më të madh të Australisë. Ndërkohë rrugët janë bllokuar nga reshjet e shumta.
Kjo është një situatë emergjente dhe kërcënuese për jetën,” tha Stephanie Cooke, ministre e shërbimeve të urgjencës për shtetin e Uellsit të Ri Jugor. Në një konferencë për mediat ajo tha se po përballen me rreziqe në disa fronte, si përmbytjet e lumenjve dhe erozioni bregdetar.
Diga kryesore e Sydneyt gjithashtu kishte filluar të derdhej gjate natës, një situatë kjo që i shqetëson edhe me tepër autoritetet. Cooke tha se kjo ishte një “situatë në zhvillim të shpejtë” dhe paralajmëroi se njerëzit duhet “të përgatiten të evakuohen me shpejtësi”.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 83 janë shpëtuar nga përmbytjet nga shërbimet e urgjencës, tha ajo.
Ekspertët thonë se urgjenca e përmbytjeve është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike dhe një fenomen i motit i quajtur “La Niña.” Një La Niña zhvillohet kur erërat e forta fryjnë ujërat e ngrohta sipërfaqësore të Paqësorit larg Amerikës së Jugut dhe drejt Indonezisë. Në vend të tyre, ujërat më të ftohtë dalin në sipërfaqe. Në Australi, një La Niña rrit gjasat e shiut, cikloneve dhe temperaturave më të ftohta gjatë ditës.