Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar “debatin” mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta për dekretin e lirimit nga detyrat ushtarake të Bajram Begajt.
Në një intervistë për News24, Kryemadhi u shpreh se palët mund t’i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar më shumë këtë debat.
“Për hir të së vërtetës, nuk jam juriste që të diskutoj dekretet e Presidentit. Mendoj që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetutese. Besoj do ta bënte më të qartë dhe më të kthjellët. Duke iu drejtuar asaj, do i jepte përgjigje debateve të Berishës me Presidencën” – tha Kryemadhi.
Përsa i përket zgjedhjes së Begajt në krye të shtetit, Kryemadhi vendosi në dyshim nëse ai do të arrijë të mbajë paanshmërinë përballë një qeveria të cilën kryetarja e LSI-së e konsideron autokratike.
“Nuk kam gjë personale me zotin Begaj. Të qënurit President kërkon integritet, pavarësi mendimi dhe atdhedashuri. Nuk e di nëse do jetë e mundshme për të, duke pasur parasuyush një qeveri autokratë dhe një kryeministër diktator. I gjithë procesi ishte jo konsensual, ishte përjashtues. Mund të ishte Presidenti, një gazetar, një analist politik që kishte një lloj pavarësie. Ajo që të bën përshtypje ishte verdikti i votës së mazhorancës, ndryshimet e 2008-ës, ja dhanë të drejtën mazhorancës” – tha Kryemadhi.