Kryeministri i vendit Edi Rama, ka zbuluar për herë të parë se prokuroria ka video nga ngjarja në Elbasan, ku sipas tij tregojnë momentin kur struktura e PD, ndalon makinën e viktimës Pjerin Xhuvani. Rama tha se pamjet filmike, janë në simetri me dëshminë e personit të ndaluar.
“Prokuroria disponon video të komandantit të strukturës paramilitare që përputhet plotësisht me dëshminë e marrë nga i ndaluari që nuk ka lidhje fare me ngjarjen.
Është një person komplet jashtë ngjarjes. Forcat paramilitare kanë ndaluar një makinë që nuk ka lidhje me asgjë dhe personi brenda është filmuar dhe policia e ka kapur dhe dëshmia e tij është simetrike me atë që del në kamera. Si mund t’i thuash ti bandit?”, deklaroi Rama.
Por, pas kësaj deklarate, ka reaguar gazetari dhe analisti Andi Bejtja, ku shprehet se kjo deklaratë e Kryeministrit, nuk mund të kalojë kaq lehtë.
“Kryeministri Rama deklaroi në Opinion për ngjarjen e Elbasanit se Prokuroria ka një video të ngjashme me dëshminë e një kalimtari… pyetja është e thjeshtë: nga e di Kryeministri këtë?” tha Bejtja.