Përplasja presidencë-qeveri për dekretet, Braçe: Si do veprojmë

0
11

Zëvendëskryeministri Erion Braçe me tone të ashpra dhe i vendosur në zbatimin e ligjit për të goditur rastet abuzive, iu bëri sërish thirrje subjekteve të zbatojnë ligjin dhe të shmangin abuzimet. Ai tha se subjektet duhet të paguajnë detyrimet dhe mos t’i bien telefonit, pasi sipas tij, ligji është i barabartë dhe do të veprojë njësojë për të gjithë.

“Mos të shkruajnë as në telefonin tim dhe as në rrjetet sociale, sepse nuk më bën përshtypje  fare. Kush shan, merr mbrapsht atë që meriton”-theksoi ai.

Ai u ndal edhe tek dekretet e Presidentit të Republikës, të cilat u rikthyen për rishqyrtim në Kuvend, shoqëruar edhe me argumentet ligjore. Sipas Braçes me nisjen e sesionit të ri parlamentar, maxhoranca do të diskutojë të gjitha dekretet e kthyera mbrapsht.

“Pa më të voglin diskutim. Për sa kohë rregulli thotë se ligjet duhet të shqyrtohen në Kuvend, do të  diskutohen të gjitha”-nënvizoi ai.

Gjithashtu Braçe iu përgjigj interesit të medias në lidhje me Vangjush Dakon, i cili disa ditë më parë u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në argumentimin e DASH thuhej se vendimi është marrë mbi informacione të sakta, se ish-kryebashkiaku i Durrësit është përfshirë në raste korrupsioni. Braçe tha se secili qytetar me apo pa post politik duhet të përgjigjet para drejtësisë.

“Unë e kam thënë vazhdimisht, çdo akuzë e ngritur ndaj Dakos e gjithkujt tjetër, edhe anëtarë të kryesisë së PS, apo jo, apo kryetarë të partive politike si është njëri nga kryetarët e opozitës, apo nën të, duhet të hetohet dhe të gjykohet si e parashikon ligji. Askush nuk mund t’i shmanget hetimit dhe gjykimit. Ne  as s’kemi ndërmend të hyjmë në këtë proces, secili do të përballet individualisht në përputhje me ligjin në proces të drejtë e të barabartë. Por, kur përdor imunitetin për t’i ikur drejtësisë, siç edhe ka ndodhur, e kemi çështje të pazgjidhura në gjykatë e janë materializuar vjedhje me miliona euro nuk ka më, secili duhet të përballet atje, me drejtësinë”-tha ai.