Përplasjet në PD, Kadilli-Nishani i kundërvihen keq Bashës/ Berisha zhduket pas hapjes së dosjeve të bujshme/ Çfarë po ndodh?

0
897
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, situata brenda Partisë Demokratike vazhdon të mos jetë e qetë. Mbështetësit e Berishës kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i parties, me argumentin se është një figurë e konsumuar pas humbjeve në disa zgjedhje. Së fundmi është kritikuar edhe qëndrimi i kreut demokrat ndaj zgjedhjeve të 25 prillit. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli dje u shpreh se Basha nuk veproi drejt pas përfundimit të zgjedhjeve pasi duhet të mblidhte Kryesinë dhe të vendosej bashkërisht se si do të veprohej. Ai tha se Basha nuk mori në konsideratë asnjë mendim nga Kryesia, por bëri siç kishte dëshirë vetë. Sipas Kadillit, ai është duke shpërdoruar besimin që institucionet brenda partisë i kanë dhënë.

“Nuk është respektuar kryesia e partisë. Përkundrazi, është shpërdoruar dhe po shpërdorohet dhe tani. Basha na fton të diskutojmë për masakrën elektorale dhe çfarë rruge duhet të ndjekim. Ndërkohë, në datën 26 kur u shfaq, përcaktoi vetë se çfarë duhej bërë. Pasi Rama festoi në shesh, Basha tha unë do të vazhdoj luftën për votën. Dhe çfarë bëri, nuk mblodhi kryesinë që të merrnim në konsideratë çfarë duhej bërë. Thotë do mbledh fakte, kur faktet i ka dorëzuar në KAS. Po shpërdoron besimin që institucioni i ka ofruar. Pas tre javësh që ke marrë vendimet, del e thua që duhet mbledhur kryesia”, tha Kadilli. Ai e quajti Bashën një arrogant në lidhje me sjelljen e tij ndaj institucioneve të partisë. Kadilli u shpreh se sa herë që ka zgjedhje Basha priret ti bëjë të tjerët të besojnë se ato janë vjedhur e sipas Kadillit kjo është një alibi e tij për të mbajtur karrigen e kryetarit.

“Ne luftojmë Edi Ramën që është arrogant dhe autoritar, por kjo sjellje me institucionet e partisë, është një arrogancë e fshehur me buzëqeshje. Gjithmonë kur ka zgjedhje, do të jetë dikush që do të tentojë të manipulojë. Është alibi absolute e tij për të mbrojtur karrigen. Jo se nuk ka pasur abuzim por po e përdor për agjendën e vet”, thotë ai.

Anëtari i Kryesisë së PD u shpreh se beteja e Bashës për votën ka mbaruar teksa deklaroi se kjo është një humbje më e madhe për ish-kryeministrin Sali Berisha pasi PD është një investim i tij politik. Sipas Kadillit partia më shumë i dhimbset Berishës sesa Bashës.

“Unë nuk ve fajtor kundërshtarin, bëj fajtor veten nëse humb, edhe nëse m’i vodhën. Beteja e Bashës për votën, mbaroi. I dëmtuari i parë është Sali Berisha, sepse është investimi i tij politik. Jam i bindur se kjo parti i dhimbset shumë më tepër Sali Berishës se Lulzim Bashës”, shprehet Kadilli. Ndërkohë kreu i Këshillit Kombëtar të PD Bujar Nishani ditën e djeshme deklaroi se nëse pas ankesave të PD do të ndryshojë rezultati i zgjedhje ai do të heqë dorë nga politika. Nishani u shpreh se është i gatshëm ti kërkojë falje Bashës dhe të mos flasë më kurrë me të apo për të. “Nëse pas ankesave të PD-së merret vendimi të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve në favor të PD unë do largohem përfundimisht nga aktiviteti politik. Do t’i kërkoj falje Lulzim Bashës, nuk do flas kurrë më publikisht dhe do merrem vetëm me jetën time private, por jo më atë publike. Nuk do flas më” tha ai.

Kujtojmë se që në momentin që u krijua “Grupimi për PD” dhe nisën përplasjet brenda partisë ajo që bie më shumë në sy është fakti se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka reaguar fare për këtë çështje. Gazeta e tha para zgjedhjeve se amerikanët nuk e duan Berishën dhe jemi në një situatë kur Gërdeci u rihap, ndërkohë që po shkohet te dosje të tjera të bujshme. Një ekspozim në këtë kohë do sillte pasoja të mëdha te ish-kryeministri, i cili si duket po mundohet të mbajë në presion Bashën përmes njerëzve të tij që të mos shkojë te bashkëqeverisja me Ramën.

Zjarr Tv Ad