Përsëriten zgjedhjet në Rrogozhinë dhe Kukës, Presidenca në komunikim me KQZ-në për t’i zhvilluar në të njëjtën ditë

0
89
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas Rrogozhinës edhe në Kukës do të zhvillohen zgjedhje lokale për shkak të publikimit të video-skandalit të Safet Gjicit, të pasuar nga dorëheqja e tij. Vendimi për datën e zgjedhjeve në rastin e Kukësit i takon Presidentit të Republikës, ndërsa për Rrogozhinën do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të dy institucionet pritet te koordinohen për të zhvilluar zgjedhjet në të njëjtën datë.

Në Kukës, zgjedhjet do të përsëriten pas dorëheqjes dhe shkarkimit nga qeveria të kryetarit të Bashkisë Safet Gjici, pas publikimit të videos së skandalit seksual. Meqenëse në Kukës nuk jemi në kushtet e përsëritjes së zgjedhjeve për shkak të një procesi ankimues ligjor, por të shkarkimit të kreut të Bashkisë, atributi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme i takon Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit do të vendosë dekretimin e datës së zgjedhjeve vetëm pasi të marrë njoftimin zyrtar nga Qeveria për shkarkimin e Gjicit si kryetar i Bashkisë së Kukësit.

Zgjedhësit në Bashkinë Rrogozhinë do të thirren në votime, pasi Kolegji Zgjedhor në fund të betejës ligjore vendosi përsëritjen e zgjedhjeve për kryebashkiak, duke pranuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Për këtë rast Kodi Zgjedhor në nenit 161 të tij përcakton se data e zgjedhjeve data për përsëritjen e zgjedhjeve vendoset nga KQZ.

“Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, thuhet në ligjin elektoral.

Pritet që mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ketë një koordinim me qëllim që zgjedhjet në Rrogozhinë dhe Kukës të zhvillohet në të njëjtën ditë. Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ do duhet të shpallë afatet e regjistrimit në garën elektorale të subjekteve politike, kandidatëve, si dhe të të gjitha etapave në funksion të zhvillimit të këtyre zgjedhjeve.

Zjarr Tv Ad