Partitë e vogla parlamentare të opozitës të mbështetura edhe nga PDIU dhe LIBRA i dorëzuan dje në zyrë ambasadores së delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, pesë kushtet e tyre si garanci të votës së lirë të 18 qershorit.
Sipas këtij memorandumi, kushti i parë ka të bëjë me “realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik, si dhe numërimin elektronik të votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi”.
Kushti i dytë lidhet me “dekriminalizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të ligjit 138’2015 për dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, fushata dhe veçanërisht, prania e tyre ditën e zgjedhjeve”.
Kushti i tretë sipas të vegjëlve, “duhet të ulet kostoja e fushatës zgjedhore në mënyrë drastike, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin dhe të forcohen penalitete, përfshirë ato në Kod Penal, përfshirë kategorizimin e shitblerjes së votës në krim të rëndë.
Si kusht të katërt, partitë e vogla kërkojnë “të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike”.
Kushti i fundit ka të bëjë me “garantimin e aksesit të drejtë në media dhe mbulimin mediatik si dhe reduktimin dhe nominimin e hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore”, shkruan “Gsh”.
Në memorandumin e partive të vogla parlamentare thuhet: “Ne partitë parlamentare nënshkruese të këtij memorandumi konsiderojmë se përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Një proces reforme duhet patjetër të zgjidhë çështjet e mësipërme për të qenë efektiv dhe i besueshëm. Mospërmbushja e tyre është garanci që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që presin shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit evropian, por janë vetëm votime të manipuluara, që nuk pasqyrojnë vullnetin e shqiptarëve. Në këtë kuadër, i kërkojmë shumicës qeverisëse, si mbajtësja e përgjegjësisë kryesore dhe çdo faktori tjetër politik dhe shtetëror të tregojnë vullnetin e mirë politik për sigurimin e standardeve zgjedhore nëpërmjet mbështetjes publike të kushteve të mësipërme dhe kontributit për realizimin e tyre”.
Pas takimit, kreu i PR-së, Fatmir Mediu paralajmëroi bojkot të parlamentit nëse nuk pranohet përdorimi i teknologjisë.
Ndryshe nga të djathtët, PDIU-ja e mazhorancës këmbënguli më shumë tek depolitizimi i procesit. “Ose të jemi të gjithë pjesë e infrastrukturës zgjedhore, ose sistemi të kalojë në një stad tjetër. Historia e sistemit me dy partitë kryesore, njësoj si sistem Stalinist, që numërojnë dhe rezultatet ua japin të tjerëve aq sa duan dhe si duan ato është një epope që duhet të marrë fund”, deklaroi deputetja Mesila Doda. Kurse deputetja e LIBRA-s, zj.Mimoza Hafizi u shpreh: “Kërkesa kryesore që pranohet është ajo e administrimit teknologjik të zgjedhjeve të ardhshme, si numërimi elektronik, e cila do ta çtensionojë mjaft situatën në zgjedhjet e ardhshme”.
Kushtet e partive të vogla për zgjedhjet e 18 qershorit
1- Realizimin e Identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik si dhe numërimin elektronik të votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi, që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm.
2- Dekriminalizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të ligjit 138’2015 për dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, fushata dhe veçanërisht prania e tyre ditën e zgjedhjeve.
3- Duhet të ulet kostoja e fushatës zgjedhore në mënyrë drastike, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin dhe të forcohen penalitetet, përfshirë ato në Kod Penal dhe kategorizimin e shitblerjes së votës në krim të rëndë.
4- Të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike:
5- Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik, si dhe reduktimi e nominimi i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore.